UBT News

Drenasi dhe AZHRQ nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për përkrahjen e grave në agrikulturë

Komuna e Drenasit dhe Agjencioni për Zhvillim Rajonal Qendër, kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të projektit “Përkrahja dhe fuqizimi i grave” për të përkrahur gratë në agrikulturë.

Kjo marrëveshje është bashkëfinancim mes Komunës së Drenasit dhe AZHR-së në vlerë prej 16,500 euro.

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci bashkë me UD Drejtoreshën e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Laureta Thaqi, kanë pritur në takim Drejtoreshën e Agjencionit për Zhvillim Rajonal Qendër, znj. Mrika Macula dhe menaxheren e projektit, Mimoza Tafarshikun, ku edhe kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit.

Me këtë rast, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se këto projekte ndikojnë drejtpërdrejtë në fuqizimin ekonomik të grave. Ai shtoi se këto projekte janë të mirëpritura për komunën dhe se në vazhdimësi do t’i mbështesë.

Ndërsa, drejtoresha e Agjencionit për Zhvillim Rajonal Qendër, Mrika Macula vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm duke theksuar se do të vazhdojnë të përkrahin me projekte të tilla edhe në të ardhmen.

Ky projekt implementohet nga AZHR në bashkëpunim me Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik dhe përkrahet nga Agjencia për Barazi Gjinore.

Exit mobile version