UBT News

Drejtuesit e biznesit italian e vënë në siklet Romën duke mbajtur videotakim me Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin pati një takim përmes video-lidhjes me drejtues biznesi nga kompanitë kryesore italiane të mërkurën, pavarësisht tensioneve midis Moskës dhe Perëndimit për Ukrainën dhe NATO-n.

Takimi që zgjati mbi dy orë ishte i sikletshëm për qeverinë në Romë, kjo pasi ndodhi pikërisht në kohën kur fuqitë perëndimore kanë kërcënuar me sanksione kundër Rusisë në rast të një sulmi ndaj Ukrainës, përcjell UBT News.

Presidenti rus tha se Moska e sheh Italinë si një nga partnerët kryesorë ekonomikë, në vendin e tretë midis vendeve të BE-së për sa i përket tregtisë.

Ndër firmat e ftuara ishin gjigantët e energjisë ‘Eni’ dhe ‘Enel’, prodhuesi i gomave ‘Pirelli’, si dhe bankat UniCredit dhe Intesa Sanpaolo dhe kompania e sigurimeve ‘Generali’.

Qeveria e Mario Draghit thuhet se i ka bërë thirrje Eni dhe Enel, firma në të cilat shteti italian ka aksione, të tërhiqen nga takimi. Asnjë zyrtar qeveritar nuk ishte aty.

Eni vendosi të mos marrë pjesë, tha një zëdhënës i kompanisë për AFP. Por në rastin e Enel ankesa ra në vesh të shurdhër. Të pranishëm ishin edhe Generali dhe Pirelli, të cilët organizuan aktivitetin.

Shefat e bizneseve, të cilët ishin në Romë dhe Milano, thuhet se ishin të detyruar të linin celularët e tyre jashtë ndërsa zhvillohej takimi.

Bashkimi Evropian, anëtar i të cilit është Italia, vendosi një sërë sanksionesh ndaj Rusisë në vitin 2014, si përgjigje ndaj aneksimit të gadishullit të Krimesë të Ukrainës./UBTNews/

Exit mobile version