UBT News

Drejtori i Policisë së Kosovës jep garancinë për mbajtjen e Kadri Veselit në arrest shtëpiak

Mbrojtja e Kadri Veselit ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, që i mbrojturi i tyre të lirohet në arrest shtëpiak, me arsyetimin se drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë garanci të qartë.

Kjo është bërë e ditur nga shkresa e mbrojtjes që i është dorëzuar gjykatës.

Në shkresën e mbrojtjes, ata pohojnë se për momentin ka dy ndryshime të qarta në rrethana që kanë lindur që nga vendimi i fundit i rishikimit të paraburgimit. Sipas tyre, të dyja ato ofrojnë një bazë të qartë për t’i dhënë fund paraburgimit të Veselit në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës Speciale dhe për ta kthyer atë në arrest shtëpie në kushtet strikte të propozuara nga Mbrojtja dhe të detajuara në Aneksin 2 nga Drejtori i Policisë.

“Së pari, Drejtori i Policisë tani ka dhënë një garanci të qartë, e cila drejtpërsëdrejti adreson dhe zbut rrezikun e vetëm të identifikuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në vendimin e tij të mëparshëm: konkretisht se bisedat e pamonitoruara mes z. Veseli dhe familjes së tij dhe vizitorëve mund të pengojnë progresin e procedurave të gjykatave apo për shkak të rrezikut të kryerjes së së krimeve të mëtejshme”, thuhet në shkresën e mbrojtjes.

Sipas mbrojtjes, letra konfirmon se forcat policore të Kosovës janë më se të afta dhe të gatshme për të zbatuar çdo kusht apo urdhër të caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake për lirim të përkohshëm apo ndonjë çështje tjetër.

Tutje, thuhet se një rishikim i kujdesshëm i masave specifike që Forcat Policore të Kosovës janë të gatshme dhe në gjendje për të ndërmarrë, sugjeron që në disa aspekte se Forcat Policore të Kosovës janë më të pajisura për të zbatuar kushtet e gjykatave sesa homologët e tyre në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës Speciale.

Sipas shkresës, angazhimi i detajuar i ndërmarrë nga Policia e Kosovës është një ndryshim i qartë i rrethanave dhe zbut drejtpërdrejtë rrezikun e identifikueshëm që gjyqtari i procedurës paraprake paraprakisht konstatoi se përbënte arresti shtëpiak.

Tutje, thuhet se mbrojtja pohon se qëllimi parandalues ​​i paraburgimit të Veselit tani mund të arrihet qartë përmes mjeteve më pak kufizuese.

Në vijim thuhet se siç u përmend më lart, më 2 korrik 2021, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se lirimi i përkohshëm do të zbuste rrezikun e arratisjes.

Por sipas mbrojtjes, duke pasur parasysh natyrën e përgjithësuar të përgjigjes së mëparshme nga Drejtori i Policisë, kushtet e propozuara dhe asnjë kusht tjetër të vendosur nga Gjyqtari i procedurës paraprake nuk mundi të zbusë nenin 41(6)(b)(ii) dhe (iii) të Ligjit.

“Gjykatësi i procedurës paraprake vuri në dukje veçanërisht rrezikun e bisedave të pamonitoruara ndërmjet z. Veseli dhe anëtarëve të familjes së tij dhe vizitorëve”, thuhet në këtë shkresë.

Sipas mbrojtjes, nga letra e Mehmetit dhe përkushtimi i tij për zbatimin e urdhrave të Gjykatës, është e qartë se forcat e tij policore do të zbusin plotësisht çdo rrezik të paraqitur nga Lirimi i Përkohshëm.

“Nga pikëpamja e sigurisë, arresti shtëpiak i parashikuar nga këto kushte është kategorikisht një protokoll sigurie po aq i fortë sa ato të parashikuara nga Njësia e Paraburgimit të Gjykatës Speciale. Dallimi i vetëm i rëndësishëm është se këto protokolle i lejojnë z. Veseli të kalojë periudhën paraprake me gruan dhe fëmijët e tij të vegjël”, thotë mbrojtja./betimiperdrejtesi.com/

Exit mobile version