UBT News

Drejtori i Policisë: Dënimet e ulëta po ndikojnë në rritjen e aksidenteve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka deklaruar se janë duke punuar në digjitalizimin e kontrollit të komunikacionit rrugor. Ai tha se ky proces do të ndikojë në rritjen e sigurisë në trafik, por edhe rritjen e integritetit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në një konferencë për medie Mehmeti tha se aktualisht siguria në trafikun rrugor është e keqe, si shkaktar të kësaj gjendje ka listuar edhe mbylljen totale si masë parandaluese ndaj COVID-19.

Drejtori i PK-së tha se procesi i digjitalizimit që po synojnë ta bëjnë duke ndryshuar ligjin për sigurinë e komunikacionit rrugor që përfshinë edhe blerjen e pajisjeve digjitale është proces i përballueshëm për buxhetin e Policisë së Kosovës.

“Do jetë iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor ose propozimi i cili ka shkuar nga Policia është që përgjegjësia të kaloj nga vozitësi-shoferi tek pronari i automjetit sepse kjo na mundëson kontrollin digjitale të komunikacionit rrugor. Mendoj që ky hap që jemi duke e përgatitur edhe i cili besojmë që do e realizojmë në ditët në vijim në periudhën e ardhshme kohore do i ndihmoj fillimisht në uljen e nivelit të gjobave në uljen e aksidenteve të trafikut dhe vetëdijesimin e qytetarëve[…]Digjitalizimi i trafikut do nënkuptoj edhe shqiptimin e gjobave pa e ndaluar personin, aktualisht ju e dini që për ta shqiptuar një gjobë në trafik duhet me ndalu personin me identifikuar dhe me shqiptuar gjoba, ne mundësitë digjitale janë që shqiptimi i gjobës me u bë pa e ndalua fare personin natyrisht përmes video-incizimeve, sensorëve, radarëve dhe përmes formave të tjera që mund të identifikohen disa kundërvajtje që po na shkaktoj telashe të jashtëzakonshme mospërshtatja e shpejtësisë, tejkalimet në vijë të plotë, në semaforë, automjetet e paregjistruara. Aktualisht derisa ne po flasim janë në procedurë blerja e pajisjeve digjitale për çka po flas, që nuk nënkupton vetëm radar por edhe një mori pajisjesh tjera të cilat instalohen ne automjet, qoftë sensor, kamera, data baze programe që mundësojnë me kontrollua më lehtë trafikun dhe mundësojnë më objektiv me qytetarët”, tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka deklaruar se edhe dënimet e ulëta të gjobave po ndikojnë që të rriten aksidentet në vendin tonë.

Sipas tij nga janari deri tani pjesëtarët e Policisë së Kosovë kanë shqiptuar 170 mijë gjoba apo tiketa.

“Ne si Polici mendojmë që edhe kjo është një aspekt që po ndikon që dënimet e ulëta nuk po flas vetëm për dënimet ose gjobat me para por e kam kryesisht fokuset tek dënimet që i marrin individët të cilët shkaktojnë aksident me fatalitet. Gjatë periudhës prej 1 janarit deri më 7 janar Policia e Kosovës i ka shkuar mbi 170 mijë tiketa apo gjoba që nënkupton aktivitet jashtëzakonisht të shtuar të Policisë në drejtim të kontrollit dhe sigurisë në trafik. Natyrisht që kjo nuk është për tu krenuar por Policia është dashur t’i ndërmarr këto veprime…Vetëm tek vendosja e pikëve negative për këtë periudhë kohore i kemi mbi 6 mijë e 800 raste, nëse e diskutojmë ndalimin e vozitjes së mjeteve motorike i kemi 2 mijë e 244 raste”, theksoi drejtori i Përgjithshëm i PK-së.

Drejtori i Policës së Kosovës, Samendin Mehmeti ka shpalosur edhe operacionet që janë duke i ndërmarrë për rritjen e sigurisë në trafik. Ndër to janë kyçja e mjeteve motorike si motoçikleta dhe skuterë në trafik, por edhe përfshirja e të gjitha njësive policore.

“Aktualisht Policia e Kosovës është me dy operacione aktive njëri operacion ka të bëjë me kyçje e të gjitha mjeteve motorizuara posaçërisht të mjeteve të motoçikletave dhe skuterëve që jeni duke i parë në rrugët e Kosovës mjaftë aktiv kemi kontroll përmes motoçikletave dhe skuterëve. Gjatë dy javëve të kaluara ne i kemi konfiskuar mbi 120 skuterë në rrugët e Kosovës, kryesisht në Prishtinë. Në aspektin e përgjithshëm është një operacion në nivel vendi që quhet siguria në komunikacioni rrugor 2021 i cili ka filluar nga java e fundit të muajit maj. Në këtë operacion janë të kyçura të gjitha njësitë e trafikut pjesa më e madhe të rendit publik të kombinuara edhe me njësitë e reagimit të shpejt dhe ato të njësisë speciale. Në operacione kemi të kyçura edhe automjete civile dhe polici që janë rroba civile që merren me kontroll të trafikut, besoj i keni parë nëpër qytetet operacionet. Ndërsa gjatë kësaj jave kem filluar edhe me aplikimin e dronëve ose kontrollit të trafikut përmes dronëve”, tha Mehmeti.

Ndërsa, drejtori i Divizionit të Komunikacionit rrugor, nënkolonel Jeton Rexhepi ka deklaruar se numri i personave të vdekur si pasojë e aksidenteve në trafik për këtë periudhë viti është rritur për 35 për qind krahasuar me këtë periudhë të vitit 2019.

Në numrin e madh të aksidenteve me fatalitet, sipas tij, ka ndikuar mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet atmosferike, tejkalimi i shpejtësisë, tejkalimi në hapësira të ndaluar.

“Numri i personave të vdekur është rritur për 13 persona më tepër apo 35 për qind, kurse numri në përgjithësi të aksidenteve në periudhën 1 janar deri 7 qershor 2019 krahasuar me 2021 është rritur për 2 mijë raste apo diku rreth 45 për qind. Sa i përket shkaktarëve të aksidenteve janë faktori njeri dhe rruga, nëse flasim për aksidente në përgjithësi si shkaktar kryesor është për shkak se numri më i madh i aksidenteve 57 për qind ndodhin në rrugët urbane të qytetit i bie që është mos mbajtja e distancës së automjeteve, ndërsa shkaktari i dytë është mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës dhe manipulimet me automjet nga vetë shoferi. Nëse i kthehemi analizës me fatalitet në rastet tona prinë mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rënda atmosferike, po ashtu tejkalimi i shpejtësisë së kufizuar, tejkalimi në vende ku është e ndaluar me rregulla dhe shenja”, theksoi ai.

Kujtojmë që vetëm të dielën si pasojë e aksidenteve të trafikut kanë vdekur pesë persona.

Exit mobile version