Ndonëse vetëm një muaj qëndroi si drejtor në Klinikën e Onkologjisë, Ardian Millaku tashmë e ka paraqitur dorëheqjen e tij në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).
Millaku tha se arsyet e dorëheqjes së tij kanë të bëjnë vetëm me dëshirën për ta vazhduar kontributin e tij si profesionist shëndetësor e jo si menaxher. Ai tha se të martën e kësaj jave e ka dorëzuar dorëheqjen, por që ende nuk ka marrë ndonjë aprovim nga drejtoria e ShSKUK-së.
“Unë vetëm e kam paraqitur dorëheqjen, ende nuk ma kanë aprovuar ata… Të martën e kam paraqitur… Duke e parë që është më e arsyeshme me kontribu si profesionist me pacientë dhe mos me u marr më shumë me çështje administrative me humb kohë dhe energji. Nuk munda të përshtatem me pozitën menaxheriale, mu duk më e arsyeshme me u kthy si profesionist. Asnjë arsye tjetër nuk ka pasur, çështje personale familjare gjëra që as presione, as diçka të keqe vetëm personale… Vetëm e kam paraqitur ende nuk e kanë aprovuar”, u shpreh ai.
Në fund të muajit prill onkologu, Millaku bashkë me disa drejtorë tjerë të rinj që ishin përzgjedhur në disa klinika të QKUK-së, kishin nënshkruar kontratën e punës për pozitat menaxheriale.
Para Ardian Millakut Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e ka udhëhequr onkologu, Iliri Kurtishaj.