Në Kampusin e UBT-së në Ferizaj, ka qëndruar për vizitë drejtori i financave dhe i administratës së kompanisë “Doni Fruits”, Bekim Sinani, i cili përpara studentëve të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, ka mbajtur një ligjeratë tematike, në të cilën u ka shpjeguar studentëve rëndësinë dhe funksionalitetin e kompanive vendore.
Në kuadër të lëndës së marketingut me profesorin e UBT-së, Rajan Arapi, studentët patën mundësi që të thellojnë edhe më shumë njohuritë e tyre rreth rëndësisë së marketingut në funksionimin e kompanive dhe bizneseve të ndryshme.
Studentët përmes kësaj ligjërate tematike u njohën me të arriturat e kësaj kompanie, pastaj mënyrën efikase të menaxhimit të secilit sektor në kuadër të “Doni Fruits”, si dhe ndërlidhjen e aspektit teorik me atë praktik si dy komponente të pandashme.
Përfaqësuesit e kompanisë “Doni Fruits” u shprehën të hapur për bashkëpunim në të ardhmen me UBT-në, duke mundësuar punën praktike për studentët si dhe duke ofruar mundësi rekrutimi për studentët e dalluar të UBT-së.