Drejtori i Departamentit Industrial Economics and Management në Royal Institute of Technology të Suedisë, Cali Nuur ka vizituar Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, ku është pritur nga drejtoresha e Kampusit, Lirigzona Morina, drejtori i Institutit për Studime Urbane në UBT, Shqiprim Ahmeti, dekani i Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Muhamed Gërvalla, si dhe dekani i Sistemeve të Informacionit, Blerton Abazi.
Fillimisht Cali Nuur u njoftua me ekosistemin e UBT-së, duke përfshirë mbi 20 fakultete, qendrat e hulumtimit, infrastrukturën përcjellëse hulumtuese, si dhe me mbi 500 partneritetet aktive në shërbim të stafit, studentëve dhe akterëve të tjerë.
Cali Nuur përveç që drejton Departamentin e Industrial Economics and Management në KTH, po ashtu punon edhe në Departamentin e Sustainability, Industrial Dynamics & Enterpreneurship. Ai bashkë me stafin e UBT-së kanë eksploruar mundësitë dhe potencialin e dyanshëm për bashkëpunim në projekte konkrete hulumtuese dhe zhvillimore.
Efektet e de-industrializimit dhe rishikimi i politikave orientuese për një model të ri zhvillimor në sektorin e industrisë në Kosovë, projektet me rëndësi strategjike si Smart City, si dhe projektet që kanë të bëjnë me efiçiencë në energji ishin disa nga idetë dhe projektet konkrete për të cilat palët u pajtuan për bashkëpunim.
Tutje, palët u pajtuan për takime të tjera me qëllim të inicimit të këtyre projekteve, por edhe për të eksploruar më tutje mundësitë për aplikim për projekte të përbashkëta në thirrjet e BE-së dhe Komisionit Evropian, duke përfshirë thirrjet si HORIZON.