UBT News

Drejtori i CIA-s u takua me udhëheqësin e talebanëve në Kabul

Drejtori i CIA-s, William J. Burns, është takuar ballë për ballë me udhëheqësin më të lartë të talebanëve në Kabul të hënën, sipas dy zyrtarëve amerikanë, transmeton UBT News.

SHBA-të po vazhdojnë të transportojnë qytetarët amerikanë dhe aleatët e saj afganë nga Afganistani, në një afat që skadon më 31 gusht.

Administrata e Biden ka qenë në kontakt me ​​zyrtarët talebanë gjatë gjithë procesit të evakuimit, si në terren në Afganistan ashtu edhe në Doha, Katar.

Por takimi i fshehtë, i raportuar për herë të parë të martën nga The Washington Post, midis Burns dhe bashkëthemeluesit dhe nënkryetarit të talebanëve, Abdul Ghani Baradar, “përbën shkëmbimin e drejtpërdrejtë të pikëpamjeve të nivelit më të lartë që kur grupi militant mori kontrollin e kryeqytetit”, tha një zyrtar amerikan për CNN, transmeton UBT News.

Ai shtoi se takimi nënvizon gjithashtu pikëpamjen brenda administratës se ata kanë nevojë për një kuptim më të qartë se ku qëndrojnë talebanët në disa çështje.

Zyrtari amerikan i tha CNN se takimi u zhvillua nën drejtimin e Presidentit Joe Biden, i cili pasqyron pikëpamjen brenda administratës se Burns është diplomati më i sprovuar dhe një nga veteranët më të besuar në ekipin e tij.

Megjithatë, CIA ende nuk është deklaruar për këtë takim, dhe nuk pranoi të komentojë për CNN në lidhje me të.

Kujtojmë se SHBA ka evakuuar mijëra njerëz nga aeroporti i Kabulit që po largohen nga vendi pas marrjes së kontrollit të vendit nga talebanët.

Talibanët e kanë përshkruar 31 gushtin si një “vijë të kuqe” dhe kërcënuan me pasoja nëse Shtëpia e Bardhë vonon tërheqjen e trupave të saj.

“SHBA duhet t’i përmbahet largimit të trupave nga Afganistani deri në këtë datë (31 gusht 2021). Përndryshe, do të jetë një shkelje e qartë”, tha një zëdhënës i talebanëve për CNN për afatin e evakuumit të njerëzve, duke shtuar se në rast të një vonese, “ne do të marrim vendimet e duhura dhe të nevojshme”./UBTNews

Exit mobile version