Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Behar Thaqi, ka bërë të ditur se reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe infrastrukturë, duke kërkuar ndërhyrjen e Qeverisë së Kosovës për mbështetje ndaj fermerëve.
Sipas Thaqit, dëmet më të mëdha janë evidentuar në kulturat bujqësore, veçanërisht te specat, pjepri dhe shalqiri.
“Dëmet janë të konsiderueshme, sidomos në sektorin e bujqësisë. Kemi dëme në kulturat e specave, pjeprit dhe shalqirit”, ka deklaruar ai.
Ai tha se vetëm erërat e forta të 27 korrikut kanë shkaktuar dëme rreth 100 mijë euro, ndërsa vërshimet e muajit janar, sipas komisionit vlerësues, kanë shkaktuar dëme prej rreth 167 mijë eurosh.
Thaqi bëri të ditur se edhe reshjet e fundit kanë dëmtuar infrastrukturën rrugore me mbi 50 mijë euro, ndërsa dëmet e reja te fermerët nga vërshimet vlerësohen mbi 100 mijë euro.
Ai theksoi se institucionet komunale kanë kompetencë vetëm për evidentimin e dëmeve, ndërsa kompensimi i tyre i takon nivelit qendror.
“Qeveria duhet të mendojë seriozisht dhe t’i ndihmojë fermerët dhe bujqit”, u shpreh Thaqi.
Sipas tij, dëmtimet në rrugë kanë ardhur si pasojë e sasisë së jashtëzakonshme të reshjeve, duke theksuar se nuk beson se shkaku lidhet me cilësinë e punimeve./A.K/
