Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe drejtoresha e BBC News, janë dorëhequr pasi një ish-këshilltar i korporatës e akuzoi transmetuesin për anshmëri serioze dhe sistematike në raportimin e tij për çështje që përfshijnë Donald Trump-in, Gazën dhe të drejtat e personave transgjinorë.
Në një lëvizje të papritur, Davie deklaroi se dorëheqja ishte vendim personal, por ajo vjen në një kohë kur BBC po përgatitet të kërkojë falje për mënyrën se si u redaktua një fjalim i Donald Trump-it, raporton Guardian.
Deborah Turness, drejtoresha e BBC News, gjithashtu ka dhënë dorëheqje. Dorëheqjet vijnë pas pretendimeve të ngritura nga Michael Prescott, ish-këshilltar i pavarur i jashtëm në Komitetin për Udhëzime Redaktuese dhe Standarde (EGSC) të BBC-së, i cili ka lënë detyrën gjatë verës. Ai ka akuzuar transmetuesin për anshmëri në disa çështje të ndjeshme.
Komisioni parlamentar për Kulturë, Media dhe Sport i Dhomës së Komunave i ka dhënë BBC-së një afat deri të hënën për t’u përgjigjur ndaj pretendimeve të ngritura nga Prescott.
Në një shënim dërguar stafit të BBC-së të dielën pasdite, Davie shkroi:
“Ky është tërësisht vendimi im, dhe mbetem shumë mirënjohës ndaj kryetarit dhe bordit për mbështetjen e tyre të palëkundur dhe unanime gjatë gjithë mandatit tim, përfshirë edhe gjatë ditëve të fundit. Jam duke punuar me bordin për të përcaktuar kohën e saktë të tranzicionit, në mënyrë që të sigurojmë një kalim të rregullt drejt pasardhësit gjatë muajve në vijim. Kam reflektuar mbi kërkesat shumë të larta personale dhe profesionale të këtij roli ndër vite, në këto kohë të tensionuara, si dhe mbi faktin që dua t’i jap pasardhësit kohën e nevojshme për të ndihmuar në hartimin e planeve të reja për Kartën që do të zbatojë”./S.K/KP/
