Kthimi i Arben Vitisë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë po vlerësohet si vendim i duhur nga drejtorët e Klinikave të QKUK-së. Ata po e mirëpresin vendimin, duke shpresuar që më ministrin të kenë bashkëpunim.
Drejtori i Klinikës së Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore, Gani Jashanica, ka thënë se emërimi i Vitisë në krye të MSH-së është lajm i mirë, teksa pret që të rikthehet besimi i qytetarëve në shërbimin publik shëndetësor.
“Në rend të parë është mirë që vendos ministri, pa marrë parasysh kush është. Kam besim në ministrin e ri dhe kam besim në gjithë stafin përcjellë të tij e menaxhmentin e ShSKUK-së, që bile ky viti 2023 të kthehet besimi i qytetarëve në shërbimin publik shëndetësor të Kosovës dhe mos të bredhin pacientët nëpër institucione private dhe jashtë shtetit, për arsye se e dimë që në privat ku e ka qëllimin, pra në rend të parë material e pastaj shëndetësor”, u shpreh ai.
Njëjtë mendon edhe drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci. Ai thotë se presin bashkëpunim nga Vitia.
“Sigurisht që ai është koleg i yni dhe presim bashkëpunim me të. Unë shpresoj shumë dhe e vlerësoj shumë ministrin. Kushdo që vjen në krye të Ministrisë, dhe e vlerësoj dhe besoj se do të kemi bashkëpunim me neve”, deklaroi ai.
Kurti e ka riemëruar Vitinë, ministër të Shëndetësisë pas 79 ditësh që ky institucion mbeti pa ministër nga koha kur u dorëhoq ish-ministri Rifat Latifi.