Ditët e fundit u vërshuan me reagime raportet ‘e ngurta’ mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit qëndroi për vizitë në Kosovë më 10 qershor në shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, porse në agjendën e tij nuk kishte takim të planifikuar me homologun e tij nga Kosova.
Mospajtimet e dy udhëheqësve politikë nisën që nga 7 korriku i vitit të kaluar, kur Rama kishte anuluar pjesëmarrjen e kabinetit të tij në mbledhjem e përbashkët të dy qeverive.
Megjithatë analistja politike, Afërdita Maliqi në një prononcim për UBTNews tha se brishtësia e raporteve mes kryeministrave shqiptarë e ka zanafillën që nga fillimi i qeverisjes së Kurtit.
“Problemet mes dy kryeministrave nuk është që janë sotshme, datojnë pothuajse qëkur ka ardhur kryeministri Kurti në pushtet. Nëse ju kujtohet kryeministri Kurti pati konkuruar në zgjedhjet në Shqipëri dhe kishte shkuar me votu atje dhe prej aty kanë filluar ato ndërstramcat mes të dy kryeministrave. Kryeministri Rama e ka thumbuar ndonjëherë kur ju ka thënë mundësia, ndërkaq kryeministri Kurti ka dëshiruar të jetë ai lideri i të gjithë shqiptarëve në Ballkan për të cilën nuk ka pranuar kryeministri Rama”, deklaroi Maliqi.
Vlerëson se mospajtimet rrjedhin si pasojë e protagonizmit personal të dy kryeministrave.
“Nga ana e kryeministrit Kurti protagonizmin me qenë lider i Ballkanit për shkak se është përzier në zgjedhjet në Shqipëri, ëshët përzier në zgjedhjet në Luginë të Preshevës, është përzier në zgjedhejet në Maqedoninë e Veriut, d.m.th kur në Kosovë vlojnë problemet ne e shohim kryeministrin duke u marr pjesë nëpër fushata dhe duke u mbështetur në parti të caktuara”, shtoi ajo.
“Në këtë pikë problemet mes dy kryeministrave i shoh më shumë probleme personale dhe probleme të protagonizmit personal të tyre”, thotë ajo.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Rama u takua me të parën e shtetit, Vjosa Osmanin. Ai mori pjesë edhe në një konferencë ndërkombëtare për ish-presidentin Ibrahim Rugova të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës./UBTNews/
Teksti: Dea Berisha