Pas deklarimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që drafti i propozuar nga emisari Miroslav Lajçak të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias, presidentja e vendit Vjosa Osmani tha se ende nuk iu është prezantuar një ide e tillë.
Osmani tha se kurdo që i prezantohet institucionit të presidentes kjo ide do të shqyrtohet. Nëse sipas saj vlerësohet se kjo e ndihmon Republikën e Kosovës, nuk ka asnjë arsye që mos të përkrahet.
“Nuk kam pa ide të tillë të prezantuar formalisht. Kurdo që prezantohet te institucioni i presidentes si kreu i shtetit dhe si udhëheqëse e politikës së jashtme e shqyrtoj dhe pastaj ju njoftoj. Idetë që prezantohen në media nuk mund t’i shoh si formalisht të prezantuara. Sipas kushtetutës dhe komentarit të kushtetutës përcaktimi i objektivave të jashtme bëhet nga kreu i shtetit si udhëheqëse e politikës së jashtme. Pra kurdo që prezantohet një ide e tillë do ta shqyrtoj por mendoj se është me rëndësi që çdo propozim e ide të analizohet vetëm në kontekst të interesave të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Nëse e vlerësojmë se kjo e ndihmon Republikën e Kosovës natyrisht se nuk ka asnjë arsye që mos të përkrahet por duhet të prisni edhe pak derisa ta diskutojmë në mënyrë formale këtë propozim”, tha Osmani.
Osmani po ashtu ka folur edhe për shpronësimet në veriun e Kosovës. Sipas saj, në procesin e këtyre shpronësimeve nuk sheh ndonjë tendencë për disriminim mbi baza etnike derisa sipas saj po veprohet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe në bazë të standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e njeriut.
“Çështja e shpronësimeve për çdo qytetarët të Republikës së Kosovës pavarësisht etnisë duhet të analizohet vetëm në kontekst të përputhshmërisë me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çështja e shpronësimeve ka rregulla të caktuara dhe këto rregulla jo që vetëm që përcaktohen me ligjet tona por edhe me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për aq sa respektohen këto standarde testi 5 hapësh i paraparë nga vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, përderisa respektohet ky standard dhe të gjithë 5 hapat janë aplikuar kjo nënkupton që është zbatuar edhe ligji ynë edhe kërkesat tona kushtetuese dhe edhe kërkesat e standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe shpronësimet vazhdojnë në përputhje me ligjin pa asnjë tendencë për diskriminim të askujt”, tha Osmani.
E para e vendit tha se e përkrah çdo vendim që është në interes të sigurisë nacionale dhe të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Dje institucionet e Kosovës e kanë dhënë shpjegimin e duhur se si është bërë kjo procedurë e cila është edhe në interes nacional për shkak të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës. Ju e dini që është jashtëzakonisht e rëndësishme, e domosdoshme për sigurinë e të gjithë neve pavarësisht ku jetojmë brenda Kosovës që veriu i Kosovës të mbrohet nga sulmet e Serbisë dhe në mënyrë që Kosova të mbrohet ne kemi nevojë për prezencë të institucioneve tona të sigurisë të cilat e kanë mbrojtur heroikisht dhe me sukses çdo cep të vendit tonë. Prandaj përderisa shpronësimet janë në përputhshmëri të plotë me ligjet e aplikueshme, me Kushtetutën e Kosovës dhe 5 hapat që janë standard i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si presidente e Republikës së Kosovës e përkrah çdo veprim që është në interes të sigurisë nacionale dhe në interes të gjithë qytetarëve pa dallim”, shtoi ajo
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpronësimin në veri, ka pasur kundërshtime nga serbët lokal e poashtu reagime edhe nga shtetet e Kuintit, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë.