Megjithatë, Kurti para deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit, tha se drafti i statutit të asociacionit i prezantuar nga emisarët euro-amerikanë më 21 tetor është pakrahasueshëm më i mirë se marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
“Drafti i emisarëve është për shkak të viteve 2013 dhe 2015. Nuk do të kishte draft të emisarëve në fund të tetorit po të mos ishin ato marrëveshje. Por ky draft është i pakrahasueshëm për të mirë në raport me marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015. Përkundër kësaj që është i pakrahasueshëm më i mirë me datën 24 tetor unë ia kam dërguar kritikën time dhe vërejtjen e mia emisarët evropian Lajçak dy ditë para takimit në Bruksel. Pra, unë e kam pranuar draftin fizikisht dhe fizikisht e elektronikisht ia kam dërguar vërejtjen dhe kritikën për draft. Në takimin e 26 tetorit kam thënë se nëse bëhet paketa dhe paska këso urgjence globale kryeqytet më të mirë dhe ngjarje më të rëndësishme se Brukseli s’ka, andaj le të nënshkruajmë sonte. Unë kam pranuar të nënshkruaj, vetëm nënshkrimi është pranim i atyre marrëveshje. Këtë iu kam bërë të qartë atyre në takim dhe e dinë këtë gjë”, tha ai.
Duke iu replikuar liderëve opozitarë që kërkuan shpalosjen e këtij drafti të asociacionit, Kurti tha nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, pasi do t’i binte që nuk është koordinuar me diplomatët euro-amerikanë.
“E kuptoj kërkesën e juaj që të shihni draftin. Por emisarët evropianë dhe ata amerikanë më thanë mos ta tregoj draftin. Tash me koordinim apo pa koordinim. Qysh po doni? Jam në hall me juve. Ata më thanë që këtë draft mos iu trego qytetarëve tash për tash dhe mos e bëni publik. Unë e kam ndarë me presidenten e Republikës pasi ajo është shefja e shtetit. Unë jam në koordinim të vazhdueshëm me evropianët dhe amerikanët dhe tash nëse iu tregoj juve draftin i bie pa koordinim. Vetëm kallëzoni qysh më iu tregu me koordinim apo pa koordinim”, shtoi Kurti.
Mirëpo, kritik u shfaq kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili akuzoi Kurtin se po i nënshtrohet emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“A shkruan diçka për vitin 2013 në këtë draftin që e keni marrë. Përgjigju pse e ke gjithë këtë ngarendje për të bërë këtë nënshkrim me Vuçiqin, kaq shumë po ki qejf të kesh një fotografi aty. Sa për ambasadorët ata disa prej tyre e kanë draftin dhe s’ke nevojë ti për t’iu treguar. Porse që i nënshtrohesh kështu Lajçakut nuk do të kisha besuar. Ai të thotë mos fol ti, okej”, theksoi Krasniqi.
Në anën tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Serbia po merr gjithçka nga ujdia e Brukselit dhe Ohrit, ndërsa s’po jep asgjë si pasojë e politikës së gabuar së Kurtit në dialog.
“Ky dokument nuk duhet të nënshkruhet me Serbinë. Statuti i asociacionit është çështje e Kosovës, kuptoni këtë gjë. Është gabim nëse nënshkruhet statuti i asociacionit me Serbinë, kjo është çështje e brendshme e Kosovës. Meqenëse ju e keni një marrëveshje me Serbinë nuk është relevante nënshkrimi. Ju vetë e thatë se marrëveshja e Ohrit është obligim ndërkombëtar për Kosovën. Pse Serbia duhet edhe të nënshkruajë diçka? Serbia po merr gjithçka, s’po jep asgjë. Po e merr asociacionin me autonomi dhe s’po jep asgjë. Pse me dhënë kur s’po i kërkon. Ju këtu i kërkove njohje de-facto dhe jo de-jure, por e jep autonominë dhe e jep asociacionin”, deklaroi ai.