Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar në Kuvendin e Kosovës miratimin e një rezolute për krimet seksuale.
Partia opozitare kërkon që viti 2023 të shpallet “vit kundër sulmeve ndaj integritetit seksual”, me ç’rast të gjitha institucionet shtetërore do të kenë obligim të prioritizojnë rolin proaktiv kundër veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual, si dhe të shtojnë e të fuqizojnë masat e parandalimit lidhur me to.
Në mesin e njëmbëdhjetë pikave që ka draft-rezoluta, kërkohet të profilizohen gjyqtarë dhe prokurorë shtesë, të cilët ekskluzivisht do t’i trajtojnë lëndët e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual.
Ndërkohë në njërën prej pikave i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës të financojë hartimin e një Komentari të Kodit Penal në lidhje me kapitullin e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual, i cili do të përfshijë praktikën gjyqësore vendore dhe të huaj.