Në draft-raportin e publikuar këtë të enjte nga Parlamenti Evropian, citohet edhe një pikë e rëndësishme, ajo e reformës zgjedhore. Në draft-raport thuhet se nuk janë zbatuar plotësisht rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe të Komisionit të Venecias për reformën zgjedhore, raporton Euronews.
Gjithashtu, tregohen shqetësimet lidhur me mungesën e barazisë së kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presionin ndaj votuesve.
“Vëren se Komisioni e vlerëson kuadrin zgjedhor të Shqipërisë si përgjithësisht të përshtatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese, duke ritheksuar megjithatë shqetësimet lidhur me mungesën e barazisë së kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presionin ndaj votuesve; për këtë arsye u bën thirrje si shumicës ashtu edhe opozitës që të ndjekin në mënyrë konstruktive dhe përfshirëse një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e mbetura të OSBE-ODIHR dhe të Komisionit të Venecias, shumë përpara cikleve të ardhshme zgjedhore”, thuhet në draft-raport.
