Doza e katërt e vaksinës antiCOVID që u është dhënë ersonave mbi 60-vjeç në Izrael i bëri ata tri herë më rezistent ndaj sëmundjes serioze krahasuar me personat e grupmoshës së njëjtë që u vaksinuan vetëm tri herë, thonë nga Ministria e Shëndetësisë në Izrael.
Ministria tha se doza e katërt, ose përforcuesi i dytë, ndikoi që personat e moshës mbi 60-vjeç të jenë dy herë më rezistent ndaj infeksionit krahasuar me personat e tjerë të kësaj grupmoshe që morën vetëm tri vaksina.
Një studim paraprak i publikuar nga qendra mjekësore Sheba e Izraelit të hënën e kaluar zbuloi se injektimi i katërt rrit antitrupat në nivele edhe më të larta se i treti, por “ndoshta” jo deri në atë pikë sa të mund të shmangte plotësisht variantin që transmetohet shumë lehtë, Omicron.
Izraeli filloi me dhënien e dozës së katërt të vaksinës Pfizer/BioNtech te personat e moshës mbi 60-vjeçare këtë muaj, teksa Omicroni u përhap në gjithë vendin.
Si në çdo vend tjetër, edhe Izraeli po përballet me rritje të rasteve me COVID-19 për shkak të Omicron. Por nuk u raportua për viktima nga ky variant./UBTNews