Në ditën botërore të parandalimit të vetëvrasjeve, organizata “Linja e Jetës”, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, peticionin për projekt-ligjin për parandalimin e vetëvrasjes me 13 mijë e 361 nënshkrime të mbledhura nga qytetarët e Kosovës.
Sipas, kryetarit të “Linjës së Jetës”, Bind Skeja kjo shënoj një arritje të jashtëzakonshme në trajtimin e vetëvrasjes në Kosovë, duke filluar për herë të parë procesin e hartimit të politikave, të cilat sipas tij preokupim kryesor e kanë reduktimin e vetëvrasjeve nëpërmjet trajtimit të dinjitetëshm të qytetarëve.
Edhe pse nuk u prit nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kjo për organizatën tregon një qasje jo serioze.
“Kemi përfunduar peticionin për projekt-ligjin për parandalim të vetëvrasjes me 13 mijë e 361 nënshkrime nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo shënon një arritje të jashtëzakonshme në trajtimin e vetëvrasjes në Kosovë, duke filluar për herë të parë procesin e hartimit të politikave, të cilat preokupimin kryesor e kanë reduktimin e vetëvrasjeve nëpërmjet trajtimit të dinjitetshëm të bashkëqytetareve tonë… Fatkeqësisht nuk jemi pritë nga Kryetari i Kuvendit, Konjufca, apo nga dikush i kabinetit të tij siç parashihet në rregullore. Kjo për neve me fillim na tregon një qasje jo serioze por shpresojmë se nuk është përfaqësuese për procesin e plotë”, ka thënë Skeja.
I pyetur për statistika të vetëvrasjeve në Kosovë, të marra nga Policia e Kosovës, Skeja ka shtuar se nuk i konsideron të besueshme statistikat e PK-së, për shkak se nuk ka mekanizma për t’i monitoruar.
Skeja, ka theksuar se ka pasur raste kur personat që kanë vdekur nga overdoza nuk janë trajtuar si vetëvrasje edhe pse qëllimi ka qenë i tillë.
“Nuk është që i konsiderojmë shumë të besueshëm statistikat e policisë, për shkak se nuk është që ka mekanizma për t’i monitoruar, të gjitha janë të regjistruara me dorë. Ka pasur edhe raste që kemi kuptuar personat që kanë vdekur nga overdoza, nuk janë regjistru si vetëvrasje edhe pse qëllimi ka qenë i tillë”, ka theksuar ai.
Nëpërmjet këtij peticioni, “Linja e Jetës”, kërkon një ligj që rregullon shërbimet klinike për parandalim të vetëvrasjes, integrimin e parandalimit të vetëvrasjes në objektiva institucionale, shërbime dhe mbështetje sociale jo-klinike, mekanizma për reduktimin e qasjes ne mjete vetë lënduese dhe rregulla të tjera.