Shoqata “Krimet e Luftës” në Gjakovë ka dorëzuar kallëzim penal kundër komandantit të Brigadës 549 të Motorizuar, i cili tashmë është nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq.
Përfaqësuesi i shoqatës, Gjok Sokoli ka deklaruar se në Prokurorinë Speciale kanë dorëzuar dëshmi se Deliq ka kryer krime.
“Janë me qindra dëshmi, dëshmi ka të mjaftueshme. Kam besim që ky person do të bie në dorë të Hagës… Është turpi i botës që krimineli të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka theksuar se është numër i madh i personave të cilët sjellin dëshmi kundër nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë.
“Kam dëshmi se u plagos, (njëri nga të plagosurit) i ka gjashtë plagë, prej granatave të ushtrisë. Zot, është personi invalid. I ka gjashtë plagë. Është dëshmitar edhe sot”, ka shtuar ai.