Kanë dhënë dorëheqje tre policë të rinj serbë në Policinë e Kosovës. Lidhur me këtë ka reaguar shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se po i ndjekin me shqetësim dorëheqjet e tre policëve serbë të sapo rekrutuar në Policinë e Kosovës.
“Jam duke parë me shqetësim dorëheqjet e fundit të tre anëtarëve të posa rekrutuar serbë të Kosovës në Policinë e Kosovës (PK). EULEX-i po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese”, ka shkruar Barbano.
Sipas tij, përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë.
“Anëtarët joshumicë të PK-së mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes punës së tyre të orientuar nga komuniteti. Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet e PK-së që synojnë zhvillimin e policisë efektive, efikase, përfaqësuese dhe të përgjegjshme në fushëveprim më të gjerë të sundimit të ligjit”, ka shkruar ai.