Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjykata dhe prokuroria në veri janë duke funksionuar.
Sipas saj, pavarësisht, dorëheqjeve nga gjyqtarët dhe prokurorët në veri, lëndët po trajtohen dhe qytetarët po marrin shërbimet. Ajo theksoi se të njëjtit pas dorëheqjeve nuk mund të kthehen sërish në sistemin e drejtësisë.
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Haxhiu, në konferencë për medie, tha se sundimi i ligjit në gjithë territorin e Kosovës s’ka alternativë.
“Gjykata dhe prokuroria në veri po funksionon, lëndët po trajtohen, qytetarët po i marrin shërbimet dhe çfarëdo vepre që mund të ndodhë e natyrës penale po adresohet nga prokuroria dhe institucionet. Sfidë kanë qenë ditët e para, pasi rasti ka ndodhur gjatë vikendit dhe nuk kanë qenë në dijeni për seancat që i kanë mbajtur, vendimet për paraburgim që i kanë pasur, megjithatë, janë plotësuar këto vende”, tha ajo.
Ajo pati edhe një porosi për gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr.
“Personat të cilët dorëhiqen nuk mund të kthehen sërish në sistem. Pasi është goditje për sistemin e drejtësisë, për Kosovën që një prokuror apo gjyqtar të dorëhiqet për shkak të dirigjimeve që i bëhen nga Vuçiqi”, është shprehur ministrja Haxhiu.
Ajo u shpreh kritike edhe ndaj ish qeverive të kaluara, që sipas saj kanë marrë vendime të dëmshme.
Sipas Haxhiut, Qeveritë e kaluara e kanë mësuar keq Serbinë, duke i thënë “po” çdoherë.