UBT News

Donna Dafi vlerësohet nga media ndërkombëtare për këngën e re “GODDESS”

Këngëtarja me origjinë shqiptare Donna Dafi ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave ndërkombëtare, kësaj here me këngën dhe videoklipin e saj të ri, “GODDESS”.

Platforma ndërkombëtare e muzikës dhe kulturës Bong Mines Entertainment i ka kushtuar një artikull të veçantë projektit, duke e përshkruar atë si një ndërthurje të pop-it bashkëkohor dhe R&B-së.

Në artikullin me titull “Donna Dafi Reclaims Her Power With ‘GODDESS’”, media vlerëson vokalin dhe produksionin e këngës, si dhe mesazhin e saj për vetëvlerësimin, zhvillimin personal dhe rikthimin e fuqisë së brendshme.

Sipas Bong Mines Entertainment, Donna Dafi e trajton vetëbesimin në një mënyrë më njerëzore, si një forcë që mund të humbet përkohësisht dhe që duhet rigjetur sërish.

Media ka vlerësuar gjithashtu anën vizuale të videoklipit, ku Donna shfaqet mes ujit, natyrës, shkëmbinjve dhe arkitekturës së vjetër. Kombinimi i peizazheve, modës dhe estetikës vizuale lidhet me temat e feminilitetit, ripërtëritjes dhe fuqisë personale.

Në shkrim theksohet edhe mënyra se si artistja ndërthur muzikën, modën, arkitekturën dhe dizajnin, duke krijuar një identitet artistik që shkon përtej muzikës.

“GODDESS” është pjesë e kapitullit artistik që Donna Dafi e quan “Primadonna Era”, pas projekteve “Primadonna”, “Touch Me Like That”, “ManGo” dhe “Trouble”.

Vëmendja e Bong Mines Entertainment ndaj projektit shënon një tjetër paraqitje të Donna Dafit në mediat ndërkombëtare dhe një tjetër hap në prezantimin e artistes me origjinë shqiptare në skenën globale të pop-it dhe R&B-së./A.K/

Exit mobile version