Donjeta Sadiku ka udhëtuar drejt Parisit të Francës, ku prej 4 deri më 8 qershor 2021 mbahet turneu kualifikues i boksit për Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Në fakt, turneu i njëjtë kishte filluar në Londër, në mars të vitit të kaluar, ishte ndërprerë në gjysmë shkaku i pandemisë Covid 19, ndërsa do të vazhdojë në kryeqytetin francez.
Sadiku, është garuesja e vetme nga Kosova që ka mbetur në garë për kualifikim. Ajo kishte mposhtur gjermanen, Maya Kleinhans, në raundin e parë të kategorisë deri në 60 kg.
Në raundin e dytë do të takohet të premten ndaj suedezes, Agnesa Lexiussion. Nëse shënon fitore, i duhet që edhe njërën nga dy luftërat e ardhshme ta fitojë për të siguruar normën olimpike.
“Kundërshtaren e njoh dhe ajo më njeh mua. E kam përgatitur meçin dhe mendoj se jam përgatitur mirë dhe besoj në fitore”, thotë Sadiku për Komitetin Olimpik të Kosovës.
“Përgatitjet që i kam bërë në javët e fundit, më japin motiv shtesë se do të realizoj ëndrrën për t’u kualifikuar në LO Tokio 2020”, shton nënkampionia e botës 2015 për të reja, dhe kampionia e Evropës 2016 për juniore.
21-vjeçarja në muajt e fundit zhvilloi përgatitje në Finlandë dhe në Sofje të Bullgarisë. Në Tampere të Finlandës u përgatit me Mira Potkonenn, medaliste e bronztë olimpike Rio 2016, ndërsa në Sofje me medalisten evropiane dhe botërore, Stanimira Petrova.
Shpenzimet e përgatitjeve në Sofje iu mbuluan nga KOK-u.
“Përgatitjet më kanë ndihmuar shumë. Bullgarja Petrova e ka stilin e njëjtë me kundërsharet në Paris. Edhe përgatitjet e Finlandës ishin të mirëseardhura, të cilat më dhanë përvojë shtesë”, thekson Sadiku.
Ajo falënderon trajnerët e saj, Besim Brahimin e Marjolla Sallaukën, që ishin vazhdimisht afër saj.
“Besoj se nuk do t’i zhgënjejë dhe do t’ua shpërblej mundin që e kanë bërë me mua”.
Edhe trajneri Brahimi ka besim se Donjeta do të arrijë të fitojë ‘biletën’ për Tokio 2020.
Nëse Sadiku fiton normën olimpike, do të bëhet sportistja e 11-të e ekipit olimpik të Kosovës, që do të përfaqësojnë vendin tonë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, ndërsa e shtata me normë.
LO Tokio 2020 mbahen prej 23 korrik – 8 gusht 2021 në Tokio të Japonisë.