Dogana e Kosovës njofton se në pikë kalimin kufitar në Bërnjak u ndalua një automjeti ku edhe u zbulua një sasi e konsiderueshme e mjeteve monetare të padeklaruara mbi 13 mijë euro.
“Pas ndaljes së automjetit nga oficerët doganorë, të cilët në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kryen kontrollin e hollësishëm të automjetit. Gjatë këtij kontrolli, në çantën e drejtuesit të mjetit u zbulua një shumë e mjeteve monetare të padeklaruara në lartësinë prej 13,350 euro”, thuhet në njoftim.
Sipas Doganës në përputhje me procedurat, 25 për qind e kësaj shume do të konfiskohet, që do të thotë një shumë prej 3,337.50 euro.
“Kjo masë është ndërmarrë si pasoje e shkeljes së rregullave të deklarimit monetar, derisa shuma e mbetur do të nënshtrohet një verifikimi të mëtejshëm në lidhje me origjinën e këtyre mjeteve monetare, në bashkëpunim me sektorët kompetentë dhe në koordinim me prokurorinë”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.