Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara me vlerë rreth 15 mijë euro gjatë një kontrolli rutinor në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.
Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet të tipit Volkswagen që po hynte në Kosovë. Gjatë kontrollit fizik janë gjetur disa thasë me mallra të natyrës komerciale, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Gjatë intervistimit, drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare për t’i deklaruar, megjithatë kontrolli zbuloi mallra me vlerë të përafërt prej rreth 15 mijë eurosh.
Në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave, mallrat janë ndaluar përkohësisht në PKK Vërmicë, ndërsa ndaj rastit janë iniciuar procedurat administrative përkatëse.
Dogana e Kosovës rikujton se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, evazionit doganor dhe çdo forme të tregtisë së paligjshme, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë që të deklarojnë mallrat gjatë hyrjes dhe daljes nga territori doganor i Republikës së Kosovës./A.K/
