UBT News

Dogana sekuestron 29,900 euro dhe mall të padeklaruar në Han të Elezit

Dogana e Kosovës ka sekuestruar 29,900 euro dhe mall me natyrë komerciale të padeklaruar gjatë një kontrolli rutinë në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit të një automjeti me targa të Maqedonisë së Veriut, zyrtarët doganorë kanë zbuluar mall komercial që nuk ishte deklaruar, si dhe 29,900 euro para të gatshme te drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri.

“Gjatë kontrollit fizik të automjetit është konstatuar një sasi malli me natyrë komerciale, e cila nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve doganore. Po ashtu, gjatë kontrollit të drejtuesit të automjetit dhe pasagjerit janë gjetur 29,900 euro në para të gatshme, të cilat gjithashtu nuk ishin deklaruar”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Autoritetet kanë bërë të ditur se malli, mjetet monetare dhe automjeti janë sekuestruar për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Sipas Doganës, ndaj palës do të ndërmerren masat e parapara me ligj, përfshirë konfiskimin e një përqindjeje të mjeteve monetare, sipas vendimit të autoritetit kompetent, si dhe procedurat për kundërvajtje doganore.

Dogana rikujton se çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10 mijë euro ose më shumë, apo kundërvlerën e tyre në valuta të tjera, është i obliguar t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore. Mosdeklarimi i tyre përbën shkelje ligjore dhe mund të sjellë masa administrative dhe procedura të tjera ligjore./A.K/

Exit mobile version