Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar 2 mijë e 550 fishekë të kalibrit 9 mm gjatë një kontrolli të realizuar ndaj një automjeti në rajonin e Prishtinës.
Sipas njoftimit, zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë kanë ndaluar një automjet të dyshimtë në autostradën Trudë–Prishtinë, gjatë operacioneve për luftimin e kontrabandës dhe krimit ndërkufitar.
Gjatë kontrollit, zyrtarët kanë dyshuar për ekzistimin e hapësirave të fshehura në automjet. Pas një kontrolli më të detajuar, janë zbuluar pjesë të modifikuara pas fabrikimit, ku ishin fshehur fishekët e kalibrit 9 mm.
Rasti, së bashku me automjetin, municionin dhe personin e dyshuar, i është dorëzuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme.
Dogana ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetet kundër kontrabandës dhe veprimeve të kundërligjshme, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë./A.K/
