Gjatë së martës Dogana e Kosovës ka kryer kontrolle në pesë barnatore në Prishtinë me dyshimin për barna të kontrabanduara. Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
Stavileci nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka treguar se gjatë aksionit është gjetur një sasi e konsiderueshme e barnave të dyshimta si të kontrabanduara.
“Sot me 19/01/2021, Dogana e Kosovës me qëllim të zbatimit të ligjit, luftimit të Kontrabandës dhe ekonomisë informale si dhe mbrojtjes së shëndetit ka organizuar kontrolle në pesë barnatore të ndryshme ku është gjetur një sasi e konsiderueshme e barnave të dyshimta si të kontrabanduara”, tregoi Stavileci.
Stavileci tregoi se lidhur me këtë janë njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ndërkohë që thekson se kontrollat janë duke u zhvilluar akoma.
“Me këtë rast dhe me të gjeturat është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe tashmë kontrolla është duke u zhvilluar me mandat të Prokurorisë dhe Gjykatës dhe është zgjeruar edhe në objektet përcjellëse të këtyre barnatoreve. Kontrollat janë duke u zhvilluar akoma”, tregon ai.