UBT News

​Dogana gjen në një veturë botoks dhe fillerë në kontrabandë

Njësitet për Anti-Kontrabandë të Doganës së Kosovës, sot bazuar në informatat paraprake dhe autorizimet ligjore të parashikuara në Kodin Doganor dhe të Akcizave, kanë ndaluar një automjet në territorin e Prishtinës, ku kanë hasur “botoks” dhe “fillerë” të kontrabanduara.

Sipas Doganës, gjatë kontrollit të automjetit, është konstatuar se brenda tij transportoheshin produkte të padoganuara të llojit “botoks” dhe “fillerë” (produkte për përdorim estetik).

Pas veprimeve të mëtejshme operative dhe në koordinim me prokurorin kompetent, është kryer kontroll edhe në një lokacion tjetër në Prishtinë, ku është gjetur dhe ndaluar një sasi shtesë e këtyre produkteve”, thuhet në njoftim.

Sipas doganës, vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara llogaritet të jetë rreth 5,000 €.

Duke marrë parasysh se këto produkte kanë kontakt të drejtpërdrejtë me trupin e njeriut, mungesa e kontrollit adekuat dhe transporti i parregullt i bën ato veçanërisht të rrezikshme për shëndetin e popullatës“, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se rasti, sipas procedurave ligjore, është duke u trajtuar si kundërvajtje doganore./D.B/KP

Exit mobile version