UBT News

Dogana e Kosovës ndalon 23,500 euro të padeklaruara në Merdarë

Dogana e Kosovës ka zbuluar 23,500 euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar në Merdarë.

Sipas njoftimit zyrtar, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll bazuar në analizën e riskut dhe më pas ishte dërguar në vijën e dytë për kontroll të detajuar nga zyrtarët doganorë dhe Policia Kufitare.

Gjatë kontrollit janë gjetur 10 mijë euro në çantën personale të udhëtarit, ndërsa 13,500 euro të tjera ishin të fshehura në zarfe brenda një ndarjeje të automjetit, duke e çuar shumën totale në 23,500 euro të padeklaruara.

Autoritetet kanë bërë të ditur se personi kishte dokumente që dëshmojnë prejardhjen e ligjshme të mjeteve monetare, përfshirë kontratë noteriale për shitblerje prone dhe dëshmi të tërheqjes bankare.

Rasti i është referuar Hetimeve Doganore për procedura të mëtejshme, ndërsa në bazë të ligjit është mbajtur 25 për qind e shumës së padeklaruar, kurse pjesa tjetër i është kthyer poseduesit.

Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo person që hyn ose del nga vendi me 10 mijë euro e më shumë është i obliguar t’i deklarojë ato, në të kundërtën përbën kundërvajtje dhe mund të sjellë masa ligjore./A.K/

Exit mobile version