UBT News

Dogana e Kosovës mbledh 186.6 milionë euro të hyra në tetor, rritje prej 5.9 për qind

Dogana e Kosovës ka mbledhur 186.6 milionë euro të hyra gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar rritje prej 5.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas buletinit mujor të publikuar nga Dogana, në tetor të vitit 2025 të hyrat kishin arritur në 176.2 milionë euro, ndërsa këtë vit janë rritur në 186.6 milionë euro.

Përveç rritjes së të hyrave, gjatë tetorit janë shënuar edhe zhvillime të tjera në aktivitetin doganor.

Një ndër to ishte realizimi i eksportit të parë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pas hyrjes në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA, e cila synon të krijojë mundësi të reja për bizneset kosovare.

Po ashtu, Sektori i Antikontrabandës ka realizuar një operacion gjatë të cilit janë ndaluar 121 telefona celularë pa dokumentacionin përkatës.

Një tjetër zhvillim ishte organizimi i punëtorisë së parë ndërkombëtare për vlerësimin doganor në Kosovë, në kuadër të programit Customs Programme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të DG TAXUD.

Në buletinin mujor, Dogana e Kosovës ka theksuar përkushtimin për forcimin e kontrolleve doganore, luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.

Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.

/A.K/

Exit mobile version