Gjykata e Bosnje-Hercegovinës në Sarajevë ka dënuar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalesë për ushtrimin e detyrës së presidentit, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare, Christian Schmidt.
Pas shpalljes së vendimit, Dodik u ka thënë mbështetësve të tij para Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska në Banjallukë se nuk kishte arsye për shqetësim.
Ai deklaroi: “Më dënuan me një vit në burgun e tyre. Thonë se jam fajtor. Nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Unë jam mësuar të përballem edhe me gjëra më të vështira, prandaj do ta përballojmë edhe këtë”.
Ky është dënimi i shkallës së parë dhe Dodik ka mundësinë të apelojë kundër këtij vendimi.
Sakaq, Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, është liruar nga të gjitha akuzat.
Në Banjallukë, gjatë pritjes së vendimit, ka pasur një protestë në mbështetje të Dodik, ku disa protestues mbanin pankarta me mbishkrime të tilla si “Dënimi i presidentit, sulm ndaj Republikës Sërpska” dhe “Sërpska është krenaria jonë, presidenti mbrojtësi ynë”.