Situata humanitare në qytetin e rrethuar të Mariupolit po vazhdon të përkeqësohet, me Rusinë që bllokon dërgimin e ndihmave humanitare, tha kryebashkiaku.
Qyteti strategjik port ka qenë i rrethuar nga trupat ruse që në ditët e para të luftës, pa energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo gaz. Pjesa më e madhe e qytetit tani është në rrënoja.
“Situata është vërtetë e komplikuar. Është krizë humanitare. Një pjesë e qytetit është e pushtuar nga [forcat] ruse, por ushtarët tanë ende po e kontrollojnë qytetin, por ka luftime të pandërprera”, deklaroi kryetari i Mariupolit.
Rreth 100 mijë njerëz mbeten të bllokuar në Mariupol dhe përpjekjet për të kryer evakuime në shkallë të gjerë kanë dështuar.
Të enjten, zëvendëskryeministri i Ukrainës akuzoi Rusinë për bllokimin e hyrjes së autokolonave të ndihmave humanitare për tre ditë./UBTNews/