Përparimi drejt barazisë gjinore “po zhduket para syve tanë”, i tha të hënën Komisionit për Statusin e Grave Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres.
Duke folur me grupin kyç të OKB-së për të drejtat e grave përpara Ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 Mars, Guterres tha se barazia gjinore është “300 vjet larg” sipas vlerësimeve të fundit nga UN Women, organizata e OKB-së e dedikuar për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Guterres përmendi shkallët e larta të vdekshmërisë amtare, vajzat që detyrohen të martohen në moshë të hershme dhe vajzat që rrëmbehen dhe sulmohen për ndjekjen e shkollës si dëshmi se shpresa për arritjen e barazisë gjinore “po bëhet gjithnjë e më e largët”.
Në fjalimin e tij, Guterres nuk përmendi Iranin, i cili u përjashtua nga komisioni 45 anëtarësh në dhjetor për shkak të protestave pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgimin e të ashtuquajturës “polici të moralit” të vendit.
“Të drejtat e grave po abuzohen, kërcënohen dhe shkelen në mbarë botën”, tha Guterres, duke përmendur disa vende në veçanti, përfshirë Afganistanin, ku tha se “gratë dhe vajzat janë fshirë nga jeta publike”./UBTNews/