Zgjedhjet e rregullta lokale janë shpallur nga presidentja Vjosa Osmani, për datën 17 tetor të këtij viti, duke u bërë kështu procesi i tretë zgjedhor që Kosova organizon në periudhën e pandemisë COVID-19.
Për sot është paralajmëruar mbajtja e një takimi konsultativ mes subjekteve politike dhe Presidentes Osmani, për të diskutuar rekomandimin e IKSHPK-së, i cili kërkon shtyrjen e procesit zgjedhor.
Demokracia në Veprim konsideron se zgjedhjet lokale të 17 tetorit duhet të mbahen brenda afateve të përcaktuara, por në respektim dhe përputhje me masat në fuqi për parandalimin e shpërndarjes së virusit dhe protokolleve tjera në fuqi.
“Organizimi i këtyre zgjedhjeve do t’u mundësojë qytetarëve ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionet e nivelit lokal, që përbën një prej parimeve bazë të funksionimit demokratik të një shteti. Duke qenë se këto zgjedhje janë të rregullta në kuptimin periodik, mbajtja e këtyre zgjedhjeve është e një rëndësie të veçantë edhe sa i përket mandatit katër-vjeçar që u është dhënë institucioneve të nivelit lokal, mandat ky i cili sipas legjislacionit në fuqi mbaron në fund të muajit tetor. Çështja e mandatit të institucioneve të nivelit ngërthen në vete edhe aspektin e legjitimitetit të tyre, që do të cenohej në rast të shtyrjes së zgjedhjeve”.
DnV thotë se edhe pse gjatë vitit 2020 dhjetëra shtete kishin vendosur për shtyrjen apo anulimin e zgjedhjeve, ndër të cilat edhe vet Kosova, kjo ishte bërë kryesisht në mungesë të protokolleve shëndetësore dhe masave specifike për garantimin e një procesi zgjedhor që nuk rrezikon shëndetin publik.
“Megjithatë, këto nuk do të jenë zgjedhjet e para që Kosova organizon në kohë pandemie. Duke qenë se në dy proceset e organizuara paraprakisht, respektivisht zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë e Mitrovicë të Veriut, Kosova tashmë ka krijuar një përvojë të konsoliduar për organizimin e zgjedhjeve në kohë pandemie”.
Demokracia në Veprim kërkon që institucionet relevante, por edhe vet subjektet politike, të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për organizimin e një procesi zgjedhor të sigurt shëndetësor.