Në UBT mbahet Konferenca për Lidership – fokusi kryesor në lidershipin e grave dhe integrimin e minoriteteve Në Parkun Shkencor, Teknologjik dhe Inovativ të UBT-së në Lipjan u mbajt Konferenca për Lidership, me temën qendrore: “Thyerja e Barrierave: Lidershipi i Grave dhe Integrimi i Minoriteteve”. Konferenca mblodhi personalitete të njohura nga fusha akademike dhe politike për të diskutuar mbi rëndësinë e lidershipit dhe integrimin e minoriteteve.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi; ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga; Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi; profesori nga Universiteti i Harvardit, Dr. Ronald Heifetz, profesori Faton Limani, dhe shumë të tjerë.
Faton Limani, profesor në Harvard theksoi faktin se, “ndërsa navigojmë në peizazhin që ndryshon vazhdimisht, është thelbësore të njohim kontributin e pazëvendësueshëm të udhëheqësve të grave dhe rëndësinë e minoriteteve në arritjen e progresit dhe prosperitetit. Kjo konferencë shërben si një platformë për të angazhuar dialog të vlefshëm, shkëmbim idesh inovative dhe eksplorim strategjish efektive për të shfuqizuar pengesat për udhëheqjen e grave dhe fuqizimin e minoriteteve”.
Në hapje të konferencës, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi rëndësinë e fuqizimit të pozitës së gruas nëpërmjet edukimit cilësor dhe fuqizimit ekonomik. Hajrizi theksoi se UBT ka arritur një përfaqësim të lartë të grave, duke treguar se përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre japin rezultate të dukshme në të gjitha fushat.
“UBT është munduar të instalojë politikën e forcimit të pozitës së gruas përmes ofrimit të edukimit cilësor dhe fuqizimit ekonomik të tyre. Si UBT gjithmonë i kemi kushtuar rëndësi të madhe angazhimit të gruas dhe si rezultat i këtij përkushtimi, ne sot fatmirësisht rezultojmë të jemi institucioni i parë me numrin më të madh të grave të punësuara në rajon, dhe atë, të gjitha në pozita udhëheqëse”, theksoi Hajrizi.
Ish-presidentja Atifete Jahjaga tha se, “Është kënaqësi të ndaj këtë përvojë shumëvjeçare me njerëz të vendit tim si dhe me rininë e mrekullueshme të Kosovës. E ardhmja le të jetë e përbashkët, e të gjithëve.”
Prof. Dr. Ronald Heifetz nga Universiteti i Harvardit gjithashtu shtoi vlerësime për rëndësinë e lidershipit inkluziv. Konferenca u nda në dy panele diskutimi.
Paneli i parë, moderuar nga Merita Limani, përfshiu diskutimin e Zëvendëskryeministres Emilija Rexhepi mbi rëndësinë e përfaqësimit institucional të grave dhe minoriteteve. Paneli i dytë, i moderuar nga Dr. Adelina Emini, trajtoi temën “Inclusive Leadership – Challenges and Opportunities” me folëse kryesore Sakibe Jashari dhe Dr. Valentina Dedi. Gjithashtu, sesioni interaktiv për zhvillimin e lidershipit për gratë dhe grupet minoritare u drejtua nga Faton Limani dhe Shqipe Vela, duke u fokusuar në zhvillimin e aftësive dhe trajnimin për diversitet./UBTNews/