UBT News

Djegia e veturave në Leposaviq, Musliu: Terror që Vuçiq dhe Radojiçiq po ia bëjnë Kosovës

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka reaguar pas djegies së dy veturave në Leposaviq gjatë 24-orëve të fundit, duke thënë se janë pjesë e terrorit që Serbia po ua bënë serbëve të veriut të Republikës së Kosovës dhe në favor të presidentit rus, Vladimir Putin.

Musliu thënë se diplomacia kosovare duhet ta njoftojë botën për terrorin Vuçiq dhe Radojiçiq po ia bëjnë Kosovës, në mënyrë që pastaj Evropa të kalkulojë me kujdes.

“Në vazhdimësi Serbia ka fabrikuar ngjarje, edhe duke vrarë serbe, për t’i nxitur banoret serbe te Kosovës kundër shqiptarëve. Mediat e kontrolluara dhe pushteti prorus ne Beograd janë përpjekur të krijojnë përshtypje të rreme për raportet ndëretnike në Kosovë. Edhe dy rastet e djegies se automjeteve brenda 24 orëve të fundit, janë pjesë e terrorizimit të serbëve të veriut të Republikës së Kosoves, jo vetëm kundër nesh si shqiptarë, por edhe kundër sistemit demokratik perëndimor dhe në favor të Vladimir Putinit”, ka thënë ai.

Musliu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që t’i zbardhin këto raste.

“Diplomacia jonë duhet ta njoftojë botën për këtë terror që Vuciqi e Radoiciqi po ia bëjnë serbëve të Kosovës dhe vet Kosovës. E pastaj, Evropa le t’i kalkulojë me delikatesë! Ndoshta iu hapen sytë!”, apeloi ai.

Ai ka kujtuar se Serbia në vazhdimësi ka fabrikuar ngjarje, edhe duke vrarë serbë, për t’i nxitur banorët serbë të Kosovës kundër shqiptarëve.

“Liria është përgjegjësi e çdo njeriu. Rrjedhimisht, edhe serbët e Kosovës duhet ta luftojnë rrjetin e krimineleve të Milan Radoiçiqit me rezistencë dhe mospajtim. Së paku, duhet te deklarohen me fuqishëm kundër shtypjes dhe presionit qe ua bën atyre ky rrjet kriminal”, ka shkruar ai në Facebook. 

Exit mobile version