Policia e Kosovës sot ka dhënë detaje lidhur me djegien e dy kamionëve gjatë natës në veri të vendit.
“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Përveç dëmeve materiale, sipas Policisë, nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.
Kamionët që kanë shërbyer si një nga 13 barrikadat në veri, kanë penguar lirinë e lëvizjes në atë zonë. Barrikadat janë paralajmëruar se do të fillonin të largoheshin prej sot (e enjte), ndërsa është thënë se deri të premten mund të largohen tërësisht.