UBT News

Djaloshi 13-vjeçar goditi me thikë në qafë nxënësin, dëgjon gjykata

Një djalë 13-vjeçar akuzohet se ka goditur me thikë kuzhine në qafë një nxënës përpara fëmijëve të tjerë në një klasë në veri-perëndim të Londrës, ka dëgjuar gjykata. Gjykata e Magjistratit në Westminster u njoftua se djaloshi spërkati me helm milonash fytyrën e një fëmije sapo hyri në klasë, përpara se të godiste me thikë një 13-vjeçar. Fëmija pësoi tri plagë nga thika, një frakturë në shtyllën kurrizore dhe lëndime në qafë e duar që kërkuan ndërhyrje kirurgjikale. Pasi doli nga klasa, ai goditi me thikë një djalë 12-vjeçar, duke i shkaktuar një prerje prej 3 cm në qafë, dëgjoi gjykata, sipas BBC.

Djaloshi, emri i të cilit nuk mund të bëhet publik për shkak të moshës, është akuzuar për dy tentativa vrasjeje, pas incidentit në shkollën Kingsbury High School në Brent, të martën. Ai gjithashtu është akuzuar për mbajtje të thikës në ambientet e shkollës pa arsye të vlefshme ose autoritet ligjor, si dhe për administrim të paligjshëm dhe me qëllim dashakeq të një lënde të dëmshme ndaj një fëmije të tretë. Më pak se një minutë kaloi midis sulmit të parë dhe të dytë me thikë, dëgjoi gjykata.

Prokurorja Kathryn Selby tha në seancë se pretendohet që ai i kishte filmuar “sulmet e paprovokuara” me telefonin e tij. Të pranishëm ishin fëmijë të shumtë dhe një mësues. I pandehuri ishte në arrati për rreth tri orë përpara se të arrestohej pranë një xhamie. Gjendja e dy viktimave të sulmit me thikë nuk mendohet të jetë kërcënuese për jetën, por prokuroria tha se është e pasigurt nëse lëndimet do të jenë me pasoja të përhershme.

Adoleshenti u paraqit në gjykatë të enjten i veshur me tuta gri burgu. Dy anëtarë të familjes qëndronin në ulëset përpara bankës së të akuzuarve dhe i pandehuri foli vetëm për të konfirmuar emrin dhe datën e lindjes. Magjistrati kryesor Paul Goldspring e la atë në paraburgim në një qendër ndalimi për të mitur, për t’u paraqitur në Old Bailey më 27 shkurt. Shkolla Kingsbury High mbetet e mbyllur për nxënësit e viteve 7 deri në 9, por pritet të rihapet plotësisht të premten. /BBC/

 

Exit mobile version