UBT News

Djali i Thaçit në lamtumirën e gjyshit: Babin nuk e lejuan të hidhte një grusht dhe të Drenicës

Në mungesë të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, djali i tij Endrit Thaçi mbajti fjalimin e rastit gjatë ceremonisë së lamtumirës për gjyshin e tij Haxhi Thaçi.

Në emër të familjes Thaçi dhe të babit, ju falenderoj për kujdesin dhe mbështetjen që na keni dhënë. U jemi mirënjohës të gjithëve. Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për të ritakuar babin dhe bashkëluftëtarët e tij në Hagë ishte më e madhe sesa dhimbja e sëmundjeve. Besimi në pafajësinë e tyre ishte më i hekurt sesa akuzat e padrejta. Në muajt e fundit, çdo orë, çdo minutë, priste që babi t’ia hapte derën në spital. Nuk u dorëzua dhe u kthye në jetë disa herë. Ato tre orë bisedë që patëm atë ditë, u bënë tre orët më të rëndësishme të jetës së tij. Ishte një bisedë babë e bir, ku të dy kërkonin lirinë, çlirimin.Vdekjen e shpejtë të gjyshit e pashë në fytyrën e babit kur doli nga spitali. Gjyshi i mbijetoi të gjitha vuajtjeve dhe dhimbjeve që kaluam si popull. Por këto katër vitet e fundit, gjyshi nuk mundi t’i mbijetonte më vuajtjeve dhe dhimbjes që i solli padrejtësia. Një sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë, krenarë dhe me dinjitet. Siç thoshte shpesh ai vetë, “do të vdes pa u koritur”. Gjysh, as sot nuk jemi koritur. Fatkeqësisht, babin nuk e lejuan të të jepte lamtumirën e fundit bashkë me ne. Sot, nuk e lejuan të hedhë një grusht dheu të Drenicës mbi bab por në vend të tij, sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina, dhe kujtimi ynë për ty, gjysh, do të jetë i përjetshëm.

Për ne, gjyshi ishte një kështjellë e pakthyeshme e urtësisë dhe dashurisë. Ai na mësoi se bashkimi është çelësi i çdo fitoreje, dhe personifikimi i këtij bashkimi janë krerët e UÇK-së në Hagë. Le të ndjekim shembullin e tyre për t’u bashkuar dhe për fitore të radhës mbi padrejtësinë.

Ju falënderoj të gjithëve që keni mbështetur familjen tonë, dhe familjet e të gjithë atyre që po mbahen ende në Hagë. Faleminderit për respektin dhe ngushëllimet tuaja. Lamtumirë, gjysh! Prehu në paqe”. e mbylli fjalën e tij djali i Hashim Thaçit.

Exit mobile version