Flakron Shala, djali i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala, pas raportimeve lidhur me emërimin e tij Konsull i Përgjithshëm në Çeki, ka thënë se emërimi i tij u bë sipas ligjit në fuqi me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe me dekretim të presidentit të Kosovës.
Në Facebook, Shala shkroi se i gjithë ky proces u bë falë përvojës së tij disavjeçare si menaxher shteti për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në Kompaninë Çeke Elanor a.s.
“Nëse unë jam djali i një deputeti dhe ish-pjesëtari të UÇK-së, kjo nuk do të duhej të përbënte pengesë dhe as të nxiste debat publik për asnjë shtetas të Kosovës që të emërohet në detyra shtetërore dhe as për mua. Prindi im Haxhi Shala, si një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka as më shumë e as më pak autoritet ligjor e politik se deputetët tjerë- pra deputeti nuk ka kompetencë të emëroj apo shkarkoj zyrtarët e MPJ-së dhe as Konsujt e Përgjitḧshëm”, shkroi ai më tej në Facebook./UBTNews