Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se do të respektojë verdiktin e gjykatës që shpalli fajtor djalin e tij, Hunter Biden, për tri akuza. Juria e gjykatës vendosi se Hunter Biden bëri deklarata të rreme lidhur me përdorimin e drogës kur bleu një armë zjarri në vitin 2018. Akuzat mund të çojnë në disa vite burg për të.
Presidenti Biden, në një deklaratë publike, tha: “Unë jam presidenti, por jam edhe një baba. Jill dhe unë e duam djalin tonë dhe jemi krenarë për burrin që ai është sot. Unë do e respektoj verdiktin në këtë rast dhe do vazhdoj të respektoj sistemin gjyqësor, ndërkohë që Hunter po mendon ta apelojë atë.” Ai gjithashtu përjashtoi mundësinë e amnistisë për djalin e tij.
Hunter Biden e quajti verdiktin “zhgënjyes” në një deklaratë për shtyp, por falënderoi familjen e tij për mbështetjen. Presidenti Biden udhëtoi drejt Delaware për t’u takuar personalisht me të.
Ky vendim vjen pak më pak se dy javë pas shpalljes fajtor të ish-presidentit Donald Trump, kandidati i prezumuar i republikanëve për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Zëdhënësja e fushatës së Trump, Karoline Leavitt, e quajti gjyqin kundër Hunter Biden “një heqje vëmendjeje nga krimet reale të familjes kriminale Biden”. /UBTNews/