Ditë zie po mbahet në Ukrainë pas një prej valëve më të rënda të sulmeve raketore ruse në këtë muaj, me të paktën 41 persona të vrarë dhe 166 të plagosur.
Spitali kryesor i fëmijëve në kryeqytetin Kiev ishte ndër ndërtesat e goditura në qytete anembanë vendit të hënën.
Dy persona vdiqën kur një raketë rrafshoi një pjesë të Spitalit të Fëmijëve Ohmatdyt – objekti më i madh i pediatrisë në Ukrainë – dhe kërkimi për të mbijetuar nën rrënoja vazhdoi deri në orët e para të së martës.
Të hënën, Rusia mohoi të ketë shënjestruar spitalin e Kievit, duke thënë se ai ishte goditur nga fragmente të një rakete të mbrojtjes ajrore ukrainase, ndërsa Ukraina tha se kishte gjetur mbetje të një rakete lundrimi ruse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti sulmin “brutal” dhe e përshkroi homologun e tij rus Vladimir Putin si një “kriminel gjakatar”.
NATO po përgatitet të ë mbajë sot një samit në Uashington, ku përgjigja e bllokut ushtarak ndaj pushtimit të Ukrainës do të jetë në krye të axhendës.