UBT News

Ditë ferri për Donbasin

Ka nisur në orët e vona të mbrëmjes të së hënës ofensiva e ushtrisë ruse në lindje të Ukrainës, pikërisht në rajonin e Donbasit.

Ashtu siç ishte paralajmëruar dhe më herët ushtria e riorganizuar ruse nisi sulmin frontal në Donbas, rajon ky që ishte dhe një prej preteksteve të nisjes së të ashtuquajturit “operacion special” në Ukrainë.

Përballje mes dy ushtrive janë regjistruar në Rubizhne e Popasna, ndërsa autoritetet raportojnë shpërthime të fuqishme në Kharkiv dhe Mykolaiv, transmeton a2news.com.

Guvernatori ukrainas i rajonit të Luhanskut e konsideron situatën shumë të vështirë, duke e cilësuar atë një ferr të vërtetë.

Gjithashtu raportohet se në ambientet e fabrikës së çelikut në “Azovstal” po strehohen mijëra civilë, pjesa më e madhe e të cilëve gra, fëmijë dhe të moshuar.

Sipas autoriteteve lokale në Maripol, trupat ruse kanë vijuar ta bombardojnë këtë fabrikë, ndonëse kanë qenë në dijeni të civilëve të strehuar.

Analistët shprehen se tashmë marrja e Mariupolit është kthyer në një obsesion për presidentin Putin, pas disfatës në Kiev. Sipas tyre, ky qytetet mund të jetë dhe vendi ku mund të përfundojë lufta më 9 maj, datë në të cilën Rusia përkujton fitoren ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.

Exit mobile version