Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Ilustrim: Adem Demaçi
8 shtator 1994
Adem Demaçi kandidat për Çmimin Nobel për Paqe
Numri i kandidatëve për Çmimin Nobel për Paqe për këtë vit arriti në 130 – informon drejtori i fondit të këtij çmimi. Në mesin e kandidatëve të mundshëm për pmimin më të lartë për paqe në botë është edhe shkrimtari i njohur nga Kosova, Adem Demaçi, njofton gazeta e sotme “Bujku”, duke iu referuar “Zërit të Amerikës”.
8 shtator 1995
Adnan Merovci u mor në sigurimin shtetëror serb
Më 7 shtator, në orën 8.00, një inspektor i sigurimit serb në Prishtinë, kërkoi nga Adnan Merovci, sekretar teknik në Zyrën e kryetarit Rugova, që të paraqitet në sigurimin shtetëror serb në Prishtinë.
Zoti Merovci u paraqit në orën 10:00 dhe nuk u lirua ende.
Atij nuk i ishte dhënë asnjë shpjegim se përse po thirrej në sigurimin serb.
Sigurimi serb nuk dha asnjë shpjegim as më vonë. Mirëpo njoftohet se ai po mbahet në paraburgim prej 3 ditësh me vendim të policisë serbe.
Zoti Merovci e ka përcjellë vazhdimisht kryetarin e Republikës së Kosovës gjatë udhëtimeve diplomatike nëpër vendet e ndryshme të botës.
Policia arrestoi Milazim Krasniqin dhe ndërpreu punën e redaksisë së gazetës “Bota sot”
Policia serbe ndërpreu sot rreth orës 11:00 punën e redaksisë së Pishtinës të gazetës së përditshme “Bota sot” që botohet në disa shtete të Evropës dhe arrestoi redaktorin e saj në Prishtinë, Milazim Krasniqin.
Milazim Koci, anëtar i kësaj redaksie, tha se në orën 11:00 në lokalet e redaksisë hynë pesë inspektorë të sigurimit shtetëror serbë dhe legjitimuan e morën në pyetje anëtarët e redaksisë e bashkëpunëtorët tjerë e qytetarë që rastësisht qëlluan në lokalet e redaksisë.
Pas kontrollit dhe bastisjes, policët urdhëruan largimin e gazetarëve nga lokali, arrestuan redaktorin Milazim Krasniqi dhe morën pajisjen komplete tenknike të redaksisë: 2 telefonë, 1 faks, tre kompjuterë, 1 printer, si edhe tekstet e përgatitura për numrin e nesërm të gazetës.
Me këtë ndërhyrje policia praktikisht pamundësoi punën e kësaj redaksie.
Me gjithë insistimin e anëtarëve të redaksisë, inspektorët serbë nuk e justifikuan me asgjë ndërhyrjen e tyre.
Redaksia njofton se është në procedurë e sipër që nga 15 gushti kërkesa për regjistrimin e kësaj redaksie.
8 shtator 1997
Ditë zie në Kosovë në nderim të Nënës Tereze
Prishtinë, 8 shtator (QIK)
Sot në Republikën e Kosovës në shenjë pikëllimi e nderimi për vdekjen e Nënë Terezes ishte ditë zie.
Në zyrat e Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës sot janë hapur librat e zisë, të cilët do të qëndrojnë të hapur deri të shtunën e ardhshme.
Që nga dita e sotme, me urdhërin e presidentit Rugova në lokalet e Zyrës së Republikës së Kosovës për Beneluks dhe Bashkim Evropian u hap libri i homazheve në të cilin bashkëatdhetarët tanë po shprehin dhembjen e thellë me këtë rast. Aktualisht në librin e homazheve u shënuan dhjetëra bashkëkombasë tanë.
Gani Azemi i tha QIK-ut se janë duke u bërë përpjekje maksimale që në Bruksel, në njërën prej kishave të shumta, të organizohet një meshë, në shenjë nderimi dhe respekti për Nënë Terezën.
Libri i zisë u hap sot edhe në Presidencën e Kosovës. Edhe këtu libri do të jetë i hapur deri të shtunën nga ora 10 deri në orën
Dita e zisë në Kosovë, për shkak të gjendjes së okupimit në Kosovë, u shënua në mënyrë specifike. Faqja e parë e gazetës së përditshme “Bujku” doli sot me shirit të zi. Edhe gazeta tjetër e përditshme, që botohet në perëndim “Bota sot” doli me shirit të zi. Gazeta “Koha Ditore” doli sot si rëndom, në dy ngjyra, pa shenjën e zisë në faqen e parë.
Në vendet publike ndjehet kudo atmosfera e zisë. Në restorante e kafenetë e Prishtinës, si edhe në qendrat tjera komunale, sot nuk kishte muzikë. Vendimin e kryetarit Rugova për ditë zie nuk e respektoi radiostacioni Selavi, një program shqip i radios së një pronari serb, në të cilin edhe sot transmetohej vazhdimisht muzikë e hareshme shqipe.
8 shtator 1998
Prizren: Policia serbe ekzekutoi edhe dy shqiptarë
Mbrëmë rreth orës 20:00, në lagjen “Tusus” të Prizrenit, forcat e policisë serbe kanë vrarë Arsim Ramadan Ponikun (18), njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.
Njoftohet se policia serbe menjëherë pas vrasjes së Arsim Ponikut, ka arrestuar edhe axhën e tij Hasret Sylejman Ponikun (36), të cilin me një veturë me regjistrim të Pejës e kanë dërguar deri në afërsi të varrezave në Prizren dhe e kanë ekzekutuar.
Vrasjet e këtilla të shqiptarëve nga forcat serbe qoftë edhe në oborret e shtëpive të tyre dhe masakrimet e ditëve të fundit e kanë tensionuar edhe më shumë gjendjen në Prizren e rrethinë.
Në Struzhe të Prizrenit u gjetën tre shqiptarë të masakruar
Mbrëmë në malet e fshatit Struzhe u gjetën trupat e pajetë dhe të masakruar të tre të rinjëve shqiptarë, Muhamet Shemsedinit (23), Zymri Shemsedinit (21) që të dy nga Zaplluxha e Opojës dhe mikut të tyre Sabri Maliqit (18) nga Kuklibegu, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.
Njoftohet se këta tre të rinj më 1 shtator të këtij viti kanë shkuar për të prerë dru dhe nuk janë kthyer më.
Trupat e pajetë të Muhamet e Zymri Shemsedinit u varrosën sot në Zaplluxhë, ndërsa në Kuklibeg pritet të varroset trupi i pajetë i Sabri Maliqit.
