UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 8 nëntor 1992-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

8 nëntor 1993

U plaçkitën edhe eksponatet e Muzeut të Kosovës në Prishtinë

Sot, në Prishtinë rreth orës 10.30, eksponate të Muzeut të Kosovës u ngarkuan në një kamion i armatës jugosllave, me targën VJ-K 5447, i cili ishte vendosur para Muzeut të Kosovës.

Eksponatet që mirreshin nga Muzeu i Kosovës, i ngarkonin në kamion disa civilë serbë. Dëshmitarët thanë se gjatë kohës sa bëhej ngarkimi i eksponateve në kamion qëndronin dy ushtarë serbë të armatosur.

Prej vitit 1990, Serbia ka bartur nga Kosova në Serbi çdo gjë me vlerë, duke përfshirë fabrika të tëra, makina e teknologji, e deri edhe thesaret e kulturës dhe të historisë kombëtare shqiptare.

Ekspertët shqiptarë kanë reaguar disa herë ndaj bartjes së materialeve arkivore që ishin mbledhur e ruajtur nëpër institute e qendra arkivimi nëpër Kosovë, pastaj ndaj rrënimeve të qëllimshme të objekteve të rëndësishme historike nga historia e vjetër dhe e re e Kosovës, ndaj asgjësimit të fondit librar, e të tjera, por këto reagime nuk kanë pasur asnjë efekt.

 

8 nëntor 1994

Policia serbe shpërndau armë në oborrin e SHF në Nëntë Jugoviqët

Pardje, policia serbe në oborrin e shkollës fillore “Anton Z.Çajupi” në Nëntë Jugoviqët shpërndau pushkë automatike dhe gjysmë automatike, njofton Komisioni për Informim i Nëndegës së LDK-së në Nëntë Jugoviqët.

Shpërndarja e armëve u bë prej orës 11:30 deri në orën 12:00.

Bëhet me dije se ndër të furnizuarit me armë ishte edhe një arsimtar i kësaj shkolle.

 

8 nëntor 1995

“Monitor”: Serbët nuk kanë guxim të shkojnë në Prishtinë as si turistë

Në një vështrim që u emetua dje në radiostacionin “Zëri i Amerikës”, në mes tjerash u bë fjalë edhe për shkrim analitik “Pesha e Kosovës” të botuar në numrin e fundit të revistës së pavarur malazeze “Monitor”, autori i të cilit vlerëson se në Ohajo as nuk duhet të bisedohet për Kosovën, sepse Kosova humbi atëherë kur Milosheviqi, në vend që të avanconte ndonjë program për integrimin në Evropë, ai me polici e hajdutë vajti në Kosovë. Është çmenduri që të luftohet për një vend ku me shekuj serbët nuk jetojnë. Mirëpo, një luftë e këtillë nuk mund të ndodh, sepse serbët janë një masë zhurmaxhinjsh që nuk kanë guxim të shkojnë në Prishtinë si turistë, e jo më të vendosen përgjithmonë atje, thekson “Monitor”.

Për këtë arsye, në fund të këtij shkrimi, autori i komentit në “Monitor”, konkludon se serbët do të shërohen dhe do të shpëtojnë nga ankthi i së kaluarës vetëm atëherë kur të lirohen njëherë e përgjithmonë nga miti i rrejshëm mbi Kosovën, thekson mes tjerash kjo revistë.

 

8 nëntor 1996

Elizabet Ren: Shqiptarëve të Kosovës duhet t’u pranohet e drejta legjitime

Respektimi i të drejtave të njeriut në ish-Jugosllavi dhe veçanërisht të shqiptarëve të Kosovës ishte pjesë e raportit të së ngarkuarës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Elizabet Ren, që u publikua dje në Gjenevë.

Elizabet Ren akuzoi rishtas forcat serbe të sigurimit për shkeljen sistematike të të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës. Ajo përmend në raport torturat, arrestimet arbitrare, kontrollin dhe bastisjet e shtëpive të shqiptarëve.

Elizabet Ren thekson në raportin e saj se prej kësaj vere në Kosovë janë marrë në të ashtuquajturat biseda informative në policinë serbe qindra shqiptarë të Kosovës. Disa prej tyre madje edhe janë keqtrajtuar fizikisht.

Zonja Ren kërkon nga qeveria e Beogradit të njohë të drejtat legjitime të popullit shqiptar të Kosovës.

 

8 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia serbe keqtrajtoi fizikisht një të ri

Dje, rreth orës 8:00 të mëngjesit, në afërsi të shtëpisë së armatës serbe në Mitrovicë, policia serbe mori Burim M. Ademin (17) nga Mitrovica, derisa ai po shiste cigare, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Burim Ademi u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, ku u mbajt rreth 5 orë dhe u keqtrajtua fizikisht, për shkak se Burimi nuk ua dinte emrat personave që shesin cigare me shumicë.

Më vonë policët bastisën edhe shtëpinë e Burim Ademit në lagjen “Tavnik”. Pas bastisjes, policët i plaçkitën cigare në vlerë prej 60 DM.

 

8 nëntor 1998

Mbrëmë, forcat serbe sulmuan disa fshatra të komunës së Malishevës

Mbrëmë nga ora 19:00, forcat serbe të pozicionuara me mjete të blinduara në qytezën e Malishevës, pastaj në Smonicë përballë Tërpezës, Kijevë, Llazicë e Carallukë, rreth 30 minuta kanë sulmuar disa fshatra të komunës së Malishevës, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Po ashtu mbrëmë në orët e vona të natës, forcat serbe nga Carralluka kanë granatuar disa lagje të Carrallukës, pastaj një lagje në periferi të Malishevës, Tërpezën, Kijevën e Llazicën.

Gjatë kësaj kohe, njësitet e UÇK-së u detyruan që të vetëmbrohen dhe dyshohet se në mesin e forcave serbe ka të vrarë, por njoftohet se ka të plagosur edhe në radhët e njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Foto: Mitrovica

Exit mobile version