UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 korrik 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Juniku

31 korrik 1995

Humbën jetën axhë e nip

Të shtunë, në fshatin Rezallë të Skënderajt, duke pastruar një pus uji, humbën jetën axhë e nip, Xheladin M.Deliu (1959) dhe Naim A.Deliu (1978), njofton “Bujku”.
Xheladini dhe Naimi në orët e paraditës shkuan për ta pastruar një bunar të fshatit. Me të hyrë në thellësi Naimi, nga mungesa e ajrit alivanoset, e për ta shpëtuar atë lëshohet axha i tij, Xheladini, i cili gjithashtu alivanoset dhe pas pak vdesin që të dy.
Pas këtij rasti, me të shpejtë interevenuan bashkëfshatarët, të cilët për një kohë të shkurtë arritën t’i nxjerrin viktimat nga fundi i pusit dhe i dërguan në Shtëpinë e Shëndetit në Skënderaj, por gjithçka ishte e kotë, pasi për ta nuk kiste shpëtim.
Varrimi i Xheladin e Naim Deliut u bë dje në varrezat e fshatit Rezallë në prani të shumë qytetarëve.

31 korrik 1997

Incident në kufirin shqiptaro-maqedon: 2 të vrarë dhe një i plagosur

Dje, në orët e paraditës, sipas njoftimeve të Televizionit maqedon, në rajonin kufitar të Strugës ka ndodhur një incident i rëndë kufitar me ç’rast janë vrarë dy dhe është plagosur një shtetas shqiptar, njofton “Bujku”.
Sipas agjencisë MAK-Pres, incidenti ka ndodhur kur një grup prej 30 vetash, siç i cilëson propaganda maqedonase, “banditë të armatosur” hasi në patrollën policore-ushtarake të Maqedonisë, ndaj së cilës kanë hapur zjarr”.
Forcat maqedonase, sipas TVM-së, u janë përgjigjur me zjarr dhe kanë plagosur një shtetas shqiptar, i cili tash gjendet i shtrirë në spitalin e Strugës jasht rrezikut për jetë.
TVM-ja thotë duke u mbështetur në burimet e veta se “në këtë qërim hesapesh me armë zjarri janë vrarë dhe dy shtetas tjerë shqiptarë”.
Në njoftim gjithashtu thuhet se ky grup i armatosur shqiptar prej 30 vetash, kohëve të fundit ka kryer hajni të ndryshme në fshatrat e Strugës dhe mallin e vjedhur e kanë shitur në Shqipëri.

 

31 korrik 1998

Një i vrarë nga granatimi i fshatrave të Shtimes

Forcat serbe granatuan sot në orët e hershme të mëngjesit fshatrat Pjetërshticë, Karaçicë, Krojmir, Dugë etj. , njofton KI i Degës së LDK-së në Shtime. Po sot nga vendi i quajtur Pishnajat e Shtimes, forcat serbe granatuan Jezercin e Ferizajt.
Njoftohet se në Dugë nga granata u vra Osman Demi (45) nga fshati Balincë.
Po ky komision njofton se dy konvoje të forcave ushtarake erdhën sot nga drejtimi i Prizrenit dhe shkuan drejt Prishtinës.

Në Astrazub u varrosën tri viktima të terrorit serb

Mbrëmë në Astrazub u bë varrimi i Dul Ali Morinës e Islam Morinës nga Astrazubi dhe i Muharrem Hasan Hoxhës nga Dushanova, të cilët janë vrarë gjatë granatimit të forcave serbe në këtë fshat.
Ndërkaq, në fshatrat Drenoc e Bubavec ende nuk është bërë varrimi i viktimave të terrorit serb.

Suharekë: Në Bllacë ushtria dhe policia serbe kanë djegur e granatuar rreth 100 shtëpi shqiptare

Gjatë ofensivës së ushtrisë dhe të policisë serbe më 29 e 30 korrik të këtij viti, në fshatin Bllacë janë djegur rreth 100 shtëpi shqiptare, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.
Bëhet e ditur se disa nga këto shtëpi, këmbësoria serbe i ka djegur me benzinë, ndërsa Bllaca është granatuar nga tri drejtime, si nga Qafa e Duhlës, Duhla e Biraqi.
Bëhet e ditur se gjatë sulmeve të ushtrisë dhe policisë serbe, deri tash janë plagosur 9 shqiptarë, ndërsa nga plagët e rënda ka vdekur i riu Flamur Çatani 20-vjeçar.
Gjatë këtij sulmi, në fshatin Bllacë forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe kanë vrarë mbi 100 krerë bagëti, ndërsa në shtëpitë që kanë mbetur të padëmtuara, paramilitarët serbë i kanë plaçkitur e demoluar ato.
Njoftohet se rreth 7 mijë banorë të Bllacës dhe Duhlës gjenden nën qiellin e hapur, pa ushqim, veshëmbathje, barna e gjësende të tjera elementare. Gjendjen në këtë komunë e kanë rënduar edhe më shumë banorët e fshatrave të Malishevës, ku kanë arritur mijëra veta, të cilët po ashtu kanë mbetur nën qiellin e hapur.
Njoftohet se shumë fëmijë janë të sëmurë dhe për ta nuk ekziston kurrfarë kujdesi mjekësor, si pasojë e mungesës së barnave.
Kjo hapësirë tashmë është e rrethuar me skena të tmerrshme, ku nënat me djepa bredhin pyjeve të këtyre anëve, për të gjetur të paktën ndonjë hije nga vapa që i përcëllon.
Njoftohet se në komunën e Suharekës, kanë ardhur edhe shumë banorë nga komuna e Rahovecit, ndërsa në këtë komunë plot katër ditë nuk ka funsionuar as rrjeti elektrik.

Së paku 7 të vrarë në Junik

Fshati Junik dhe sot, gjatë ditës, po granatohet dhe po sulmohet nga të gjitha anët. Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan njofton se që nga fillimi i sulmeve të ditëve të fundit në këtë fshat janë vrarë së paku 7 shqiptarë: Shaban Galaj, Mehmet Zekë Qosaj (17), Bajram Ramë Shehu (85), Agim Ali Jasiqi (35), Musë Ali Gjoci, Vezir Hysen Ademaj dhe një vullnetar nga Ferizaj, me emrin Fetah. Burimet e këtij komisioni njoftojnë se numri i të plagosruve është shumë i madh, ndërsa gjatë sulmeve, të cilat janë përqendruar sidomos mbi objektet e banimit, janë shkaktuar dëme shumë të mëdha materiale.
Kryetari i këtij komisioni, Osman Cacaj, njofton se mbrëmë dhe sot janë zhvilluara luftime edhe në fshatrat: Strellc i Epërm, Carrabreg i Poshtëm, Prejlep, Rastavicë, Baballoq e Gramaqel të komunës së Deçanit. Gjatë granatimit të Gramaqelit dhe Carrabregut të Epërm janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Po ky burim njofton se gjatë luftimeve të zhvilluara para disa ditësh rreth fshatit Loxhë të komunës së Pejës janë vrarë edhe Hysen Komoni, Valdet Zekë Komoni dhe Rizë Ymer Gashi, të tre nga lagjja Dardania III e Pejës, të cilët janë varrosur nga Bashkësia Islame në Pejë. Po gjatë këtyre sulmeve janë zhdukur pa gjurmë edhe plaku Ukë Krasniqi (Mjeku) dhe Binak (Bajram) Mjeku, edhe këta nga lagja Dardania e Pejës.

 

Exit mobile version