Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
30 shtator 1993
Në kazermën ushtarake të Vushtrrisë u dëgjuan të shtëna gjatë natës
Komisioni për Informim i LDK-së së Vushtrrisë njofton se mbrëmë pas mesnate rreth orës 0.25 minuta, në kazermën ushtarake të këtij qyteti, në të cilën vijojnë mësimin edhe kadetët e shkollës së mesme të policisë, u dëgjuan të shtëna automatikësh dhe klithma, nga të cilat qytetarët shqiptarë që banojnë afër kësaj kazerme dolën nga shtëpitë e tyre të shqetësuar për të parë se ç’po ndodhte.
Qytetarët hetuan se afër depos së kazermës ishin të shtrirë dy veta, por nuk patën mundësi të dinë se a ishin të plagosur a të vrarë, si dhe a ishin ushtarë apo policë. Ndërkohë, siç njoftojnë dëshmitarët, dy personave të shtrirë u erdhi ndihma për bartje dhe me këtë rast sërish u shti me automatik në dy personat që ofruan ndihmë.
Qytetarët dëshmuan se rafalet e automatikëve vazhduan edhe më tej me ndërprerje të kohëpaskohshme. Përveç shtirjeve me automatik, thuhet se u dëgjuan edhe krisma pushkësh e revolesh.
30 shtator 1994
Nëna Terezë arriti dje në Shqipëri
Nëna Tereze arriti dje në Shqipëri dhe u takua me presidentin e Republikës së Shqipërisë dr. Sali Berisha.
Bamirësja shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqe ka qenë herën e fundit në Shqipëri në prill të vitit 1993 gjatë vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri.
Kjo vizitë lidhet me përpjekjet e Nënës Terezë për të ndihmuar Shqipërinë me rastin e shpërthimit të epidemisë së kolerës.
30 shtator 1995
“Le Mond”: Në Kosovë mbretëron aparteidi
Në Prishtinë, rreth 200 policë të nacionalitetit shqiptar, u nxorën para gjyqit me motiv se ata janë fajtorë ngase punuan rreth organizimit të policisë paralele. Atyre iu mohua e drejta që t’i mbrojnë gjykatësit shqiptarë, shkruan gazeta “Le Mond”.
Ky është vetëm njëri nga episodet që zbulon gjuhën e dyfishtë me të cilën shërbehet regjimi i Beogradit.
Shqiptarët, 85 për qind të popullatës në Kosovë, janë privuar nga të drejtat themelore, po ato të cilat serbët i kërkojnë për vëllezërit e tyre nga Bosnjë-Hercegovina dhe Kroacia. Autonomia e Kosovës e garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, thjeshtë u pezullua. Arsimi tërësisht ka kaluar në duar të serbëve, ndërsa numri i shqiptarëve të larguar nga puna sa vjen e rritet, në mënyrë që kësisoj t’i largojnë nga të gjitha postet përgjegjëse.
Derisa Beogradi gëzon shumë privilegje kur është fjala për statusin e Bosnjë-Hercegovinës, në Kosovë asgjë e re, refuzohet çfarëdo diskutimi serioz në emër të parimit të mospërzierjes në punët e brendshme.
Është e qartë se koncepti ynë i së drejtës është larg atij “ballkanik”. Parimi i respektimit të kufijve të brendshëm të Jugosllavisë së dikurshme, që e shtron diplomacia jonë kur është fjala për Kroacinë dhe shtetin boshnjak, na ndalon të pëkrahim kërkesën për pavarësinë e Kosovës, ndonëse për atë ide angazhohen, njëzëri që të gjithë shqiptarët.
Në anën tjetër, asnjë serb kurrë nuk do të pranojë që Kosova, “djep i ortodoksizmit serb”, të shkëputet nga Serbia. Urtia kërkon të mos tundet faculeta e kuqe para hundës së popullit, i cili tashmë shumë herë ka dëshmuar iracionalitetin e tij.
Por, po ky koncept i së drejtës na obligon të merremi me atë që më nuk janë “punë të brendshme”, por fakte që vështirësojnë procesin e paqes dhe rrezikojnë të drejtat e njeriut.
Shkelja e të drejtave të njeriut krijon situata konfliktuoze të gatshme për shpërthim. Është i madh rreziku nga rebelimi në Kosovë, që do të mund të ketë jehonë edhe në Maqedoni e Shqipëri.
Pos kësaj, hapja e Serbisë ndaj Kosovës do të ishte dëshmi se në Beograd diç qenësore po ndryshon. Kjo njëkohësisht do t’i bindte evropianët se heqja përfundimtare e sanksioneve është mbështetur mbi baza të mirëfillta. Thënë sinqerisht, është vështirë të merret me mend normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Bashkësisë Evropiane, përderisa në Kosovë mbretëron regjimi i aparteidit, shkruan gazeta “Le Mond”, sipas transmetimit të gazetës “Bujku”.
30 shtator 1997
Nga Kragujevci në Kosovë janë sjellë 10 tonë gaz lotsjellës
Ditëve të fundit nga Kragujevci në Kosovë është sjellë një sasi e konsiderueshme e gazit lotsjellës, njofton gazeta e Beogradit “Blic”, duke u mbështetur në burimet e afërta me policinë. Burimet e kësaj gazete ndryshojnë në deklaratat e tyre për sasinë e gazit: një palë thotë se në Kosovë janë sjellë madje 10 tonë dhe se kjo lidhet me demonstratat e paralajmëruara në Prishtinë, ndërsa burimi tjetër pohon se fjala është për dërgimin e rregullt të disa mijëra paqetave të gazit lotsjellës në Kosovë, që do t’i shpërndahet stacioneve të policisë.
30 shtator 1998
Suharekë: Katër të vrarë në Budakovë, një në Mushtisht
Sot, në fshatin Budakovë u gjetën trupat e pajetë dhe të masakruar nga forcat serbe të Zymer Ali Buzhalës (rreth 55 vjeç), Murat Kurtish Kokollarit (55), Adem Imer Buzhalës (rreth 58 vjeç), që të tre nga Budakova, si dhe trupi i pajetë i një personi tjetër ende të paidentifikuar, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.
Trupat e pajetë të katër shqiptarëve të vrarë janë të masakruar dhe ata ende nuk janë varrosur.
I njëjti burim bë të ditur se në fshatin Budakovë është plagosur rëndë Sokol Bislim Buzhala (rreth 39 vjeç).
Po ashtu bëhet e ditur se dje në Mushtisht është vrarë edhe i riu Bajram Durmish Bytyçi (1969), ndërsa është plagosur Bedri Milazim Halitjaha (1982), që të dy nga Mushtishti.
Dyshohet se në fshatrat e Suharekës numri i të vrarëve dhe i të plagosurve shqiptarë është më i madh.
Kryesia e Degës së LDK-së në Suharekë apelon te organizatat ndërkombëtare humanitare që të ndihmojnë në evitmin e masakrave të tjera të mundshme, për shkak se në malet e komunës së Suharekës ende po qëndrojnë shumë civilë shqiptarë, që kanë drojë nga ndonjë masakër të mundshëm, por edhe ndihma në ushqime, ilaçe e gjësende të tjera.
Ferizaj: Dyshohet se në Jezerc ka shumë civilë shqiptarë të vrarë e të plagosur
Mbrëmë rreth orës 18:00, forcat serbe kanë ndërprerë granatimin e fshatit Jezerc, ndërsa vetëm nga fshati Nerodime e Epërme janë tërhequr mbi 90 tanksa të ushtrisë serbe njofton KI i Degës së LDK-së në Ferizaj.
Bëhet e ditur se gjatë tërheqjes, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe kanë hyrë në shumë shtëpi shqiptare në fshatin Pleshinë dhe kanë keqtrajtuar shumë banorë shqiptarë të këtij fshati, si dhe kanë demoluar shumë shtëpi të tyre.
Edhe gjatë ditës së sotme, po vazhdon djegia e shtëpive shqiptare në fshatrat Nerodime e Epërme dhe Nerodime e Poshtme.
I njëjti burim bën të ditur se dyshohet që në fshatin Jezerc nga forcat serbe janë vrarë e plagosur disa civilë shqiptarë, por depërtimi i aktivistëve të LDK-së në këtë fshat tash për tash i pamundur, pasi forcat serbe këtë fshat edhe më tej po e mbajnë në rrethim të plotë.
Dje dhe sot në qytetin e Ferizajt, kanë arritur edhe shumë civilë shqiptarë, kryesisht gra e fëmijë për t’u strehuar në këtë qytet.
Obri: Nga shpërthimi i minës, vdiq dr. Shpëtim Robaj
Dr. Shpëtim Robaj, anesteziolog dhe mësimdhënës i Fakultetit të Mjekësisë në UP vdiq sot nga plagët e marra nga shpërthimi i një mine derisa po udhëtonte me veturë me kolegët e tij dr. Ilir Tolajn, Lindita Bunjakun dhe një zyrtare të Zyrës në Prishtinë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Nga Likoci u njoftua paradite se një veturë e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq kishte shkelur në mëngjes në një minë të vendosur në rrugë në mes të fshatrave Obri e Epërme dhe Likofc.
Përfaqësuesi për shtyp i KNKK në Prishtinë tha se aksident ndodhi rreth orës 9,30 kur njëra nga veturat e kësaj organizate shkeli në një mjet shpërthyes.
Katër personat që ishin në veturë kishin marrë lëndime. Zëdhënësi i KNKK-së tha se nuk mund të konfirmonte për shkallën e lëndimeve por atyre u është dhënë ndihmë e menjëhershme nga personeli i automjetit tjetër që nuk ishte prekur nga shpërthimi.
Konvoji ishte në rrugë për t’iu ofruar ndihmë popullatës në këtë pjesë të Kosovës, tha zëdhënësi.
Më vonë u mor vesh se të lënduarit ishin dr. Robaj e dr. Tolaj dhe Lindita Bunjaku e një zyrtare e KKN.
Lajmin e zi për vdekjen e dr. Robajt e konfirmoi Beatris Veber, përgjegjëse e Zyrës së KKN, e cila gjendej pranë të plagosurve të tjerë në spital.
