UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 29 korrik 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

Foto: Policia serbe vrau fëmijën Fidan Brestovci

 

 

29 korrik 1993

 

Presion i ushtrisë serbe mbi fshatarët e Zhurit

 

Rreth 150 ushtarë serbë, të cilët në fshatin Shkozë të Prizrenit u vendosën para tre-katër muajsh, po bëjnë presion mbi fshatarët e këtij fshati dhe të fshatrave përreth Prizrenit.

Ushtarët serbë rëndom pasdite vendosen në hyrje të rrugës Zhur – Vërmnicë dhe provokojnë qytetarët e këtij fshati dhe të fshatrave të tjera, duke bërë presion mbi ta që t’u japin duhan dhe gjësende të tjera. Për t’i evituar këto presione dhe keqtrajtime, fshatarët detyrohen shpesh që për t’i kryer punët e fushës të përdorin rrugë krejtësisht anësore. Në pengesa hasin edhe blegtorët, sepse ushtria serbe nuk lejon që fshatarët t’i kullosin bagëtitë nëpër kullosat e deritashme.

Para dy-tre ditësh një pjesë e këtij njësiti të ushtrisë serbe u përqëndrua në hyrje të Zhurit bëri kontrollime të shumta të qytetarëve dhe vështronte terrenin.

 

 

29 korrik 1994

 

Polici serb vrasës i Fidanit gjashtëvjeçar dhe plagosjes së nënës së tij Makfires

 

Serbët e instaluar në prokurorinë publike të Prishtinës, në një kumtesë që lëshuan dje pasdite pranuan se polici serb Boban Kërstiq vrau fëmijën gjashtëvjeçar Fidan Brestovcin dhe plagosi nënën e tij, Makfiren.

Në kumtesë thuhet:

“Më 27 korrik, rreth orës 22,20 minuta, në rrugën lokale ndërmjet fshatrave Rahovicë e Softoviq, jo shumë larg Ferizajt, polici në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Ferizaj, Boban Kërstiq, shtiu me armë zjarri në veturën e tipit “Golf” të Bajrush Brestovcit nga Prishtina, me numër të regjistrimit PR 107-508, me ç’rast, nga plagët e marra prej projektilëve të ndezur në rrugë për në spitalin e Prishtinës vdiq djali i tij gjashtëvjeçar, Fidani, ndërsa bashkëshortja e tij Makfirja (nëna e fëmijës së vrarë), mori plagë në pjesën e djathtë të krahërorit dhe, pasi iu dha ndihma mjekësore, ajo shkoi në shtëpi. Vozitjen e personave të plagosur nga vendi deri në spitalin e Prishtinës e bëri pikërisht polici Boban Kërstiq.

Natën kritike punëtorët e SPB të Ferizajt, në vendin e përmendur, vendosën një pritë me qëllim të zënies së një personi që kishte bërë disa vepra penale dhe për të cilin kishte njohuri operative se kryesi lëvizte në atë zonë dhe me veturë të vjedhur, gjithashtu të tipit “Golf”. Në kohën e përmendur me veturë të ngjashme kaloi aty i dëmtuari Bajrush Brestovci, i cili sipas pohimeve të dëshmitarëve nuk u ndal në shenjën e dritës së patrullës, por ai e rriti shpejtësinë, e pastaj polici Kërstiq, duke menduar se fjala është për personin për të cilin ishte marrë aksioni, nga arma zyrtare hapi zjarr në veturë me qëllim që ta ndalte atë.

Sekretariati i Punëve të Brendshme i Ferizajt më 28 korrik 1994 bëri fletëparaqitje penale kundër policit Kërstiq, ndërsa gjykatësi hetues i Gjyqit të Qarkut në Prishtinë, e ka ndalur atë në paraburgim dhe kundër tij Prokuroria publike në Prishtinë, në afatin gjyqësor do të paraqesë kërkesë për zhvillimin e hetimeve”, thuhet në kumtesën që e transmeton sot gazeta “Borba”.

 

 

29 korrik 1995

 

Dje afër Vushtrrisë u vendosën 400 kolonistë të rinj serbë

 

Dje në Velikarekë afër Vushtrrisë në 76 banesa të reja u vendosën 400 kolonistë të rinj serb. Të gjithë kolonistët e “aftë dhe të kualifikuar” do të punësohen në “Trepçë” dhe në kolektivet e tjera të Kosovës, ndërsa një numër kolonistësh do të marrë edhe tokë bujqësore.

Kryetari i instaluar serb i komunës së Vushtrrisë Branko Stoliq, duke folur për ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike të Kosovës tha se “po forcohet trungu i luhatur i rrënjës serbe”.

 

 

 

29 korrik 1997

 

U ngrit aktakuza kundër 21 shqiptarëve

 

Dje në Prishtinë u ngrit aktakuza për “terrorizëm” dhe “akte të tjera armiqësore” kundër 21 shqiptarëve nga ana e Dukagjinit, Llapit, Drenicës dhe Prishtinës. Fjala është, siç thuhet në aktakuzën nr. 25/97, për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Para Gjyqit të instaluar serb të qarkut në Prishtinë, me gjasë gjatë vjeshtës, do të gjykohen Nait Hasani (1965), albanolog, ish-i burogusr politik nga Randobrava e Prizrenit, Agron Tolaj (1970), ka të kryer shkollën e mesme teknike, Arif Vokshi (1965), ka të kryer gjimnazin, që të dy nga fshati Pobërgjë i Deçanit, Hasan Zeneli (1964), ka të kryer shkollën fillore, nga Ballabani i Prishtinës, Qerim Kelmendi (1966), ka të kryer shkollën e mesme, nga Llabjani i Pejës, Adrian Krasniqi (1972), ka të kryer shkollën e mesme, nga Peja, Alban Neziri, student i mjekësisë nga Prishtina, Agim Makolli (1962), kamarier nga Prishtina, Hamzë Panxhaj (1976), ka të kryer filloren, nga Pobërgja e Deçanit, Asllan Selimi (1966) nga Klina, Eqrem Kastrati (1970), bujk nga Turjaka e Rahovecit, Isak Shabani (1964), kontabilist, nga Prishtina, Bislim Zogaj (1965) nga Komorani, bashkëvendësi i tij Ilir Gashi (1971), Januz Zeneli (1942), babë i shtatë fëmijëve, nga fshati Ballaban, Ali Gjuliqi (1973) nga Maralia e Rahovecit, Demir Limaj (1973) nga Baja e Sufrekës, Agim Hulaj (1960) nga fshati Hulaj i Deçanit, Selim Lokaj (1948) nga fshati Pobërgjë, Hajdin Rama (1938) nga Sankoci i Gllogocit dhe Nezir Zogaj (1933) nga fshati Divjakë e Lipjanit. Po ashtu, siç u njoftuam nga avokatët, që të gjithë të akuzuarve prej dje iu është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj, do të thotë deri më 28 shtator të këtij viti.

Po vëmë në pah se të akuzuarit janë paraburgosur që nga fundi i janarit të këtij viti dhe ndaj tyre, siç kemi informuar disa herë, janë përdorur të gjitha format e dhunës, pra edhe elektroshoku, për të nxjerrë deklarata vetakuzuese dhe akuzuese për të tjerët.

Sipas aktakuzës serbe të akuzuarit ngarkohen se duke filluar nga gjysma e vitit 1992 e deri në fillim të vitit 1997, paskan formuar “shoqatën terroriste” të quajtur “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Të gjithë ata akuzohen se “kanë planifikuar dhe ndërmarrë akte të organizuara dhe të koordinuara të dhunës të inspiruara me motive politike dhe të drejtuara në rrezikimin e rendit kushtetues dhe të sigurisë të RFJ-së, me qëllim që territori i Kosovës dhe viset e tjera të banuara me pakicën kombëtare shqiptare të shkëputen nga RFJ dhe të formohet shteti i veçantë, e pastaj t’i bashkohet Republikës së Shqipërisë”. Po ashtu për të akuzuarit thuhet se gjoja me paramendim kanë privuar nga jeta dhe kanë provuar të privojnë nga jeta shumë persona, dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, pas të cilave paskan lëshuar 29 kumtesa në të cilat kanë marrë përsipër përgjegjësinë për aktet e ndërmarra terroriste.

Për të akuzuarin e parë Nait Hasani thuhet se që nga gjysma e parë e vitit 1992 e deri në fillim të vitit 1997, bashkë me Xheladin Gashin, Rexhep Selimin dhe Zahir Pajazitin, paksan formuar “organizatën teorriste” të quajtur “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, të përbërë nga dy grupe: njëra quhej “Llapi” dhe e cila ka vepruar në territorin e Prishtinës, Podujevës, Pejës dhe Deçanit. Në krye të këtij grupi aktakuza serbe pohon se ka qenë i ndjeri Zahir Pajaziti, i cili para disa muajve u vra nga policia serbe afër Vushtrrisë. Grupi tjetër i quajtur “Drenica” thuhet se ka vepruar në territorin e Mitrovicës dhe Skënderajt, Gllogovcit, Klinës dhe Malishevës, në krye të të cilit ka qenë Rexhep Selimi. Për Nait Hasanin gjithashtu thuhet se gjoja paska marrë disa dhjetra mijëra marka gjermane (nuk thuhet se nga kush) të cilat ia paska dhënë Rexhep Selimit dhe Zahir Pajazitit për t’u furnizuar me armë dhe për të kryer aksione “terroriste”. Ai thuhet se ia ka dhënë Zahir Pajazitit 10 mijë marka gjermane për të bërë “sulmin terrorist” ndaj rektorit serb të Universitetit të Prishtinës, Radivoje Papoviq. Gjithashtu për Nait Hasanin thuhet se ka marrë pjesë në bartjen dhe fshehjen e armëve të blera të cilat i ka fshehur në bazat speciale.

Për të akuzuarin e parë gjithashtu thuhet se gjoja më 31 gusht të vitit 1996 bashkë me Rexhep Selimin ka marrë pjesë në sulmin kundër stacionit të policisë në fshatin Kliqinë afër Pejës. Në atë rast ka shpërthyer një minë trombllone afër objektit të policisë.

Aktakuza serbe për Agron Tolajn thotë se bashkë me Arif Vokshin, Sali Çekaj dhe bashkë me dy oficerë të ushtrisë shqiptare ka marrë pjesë në sulmin në kafenenë “Çakorr” në Deçan. Ai gjoja ka aktivizuar një bombë dore dhe e ka hedhur në kafene me ç’rast janë vrarë tre serbë dhe një është plagosur. Gjithashtu për te thuhet se ka ndihmuar anëtarët e “grupit të vet” në sulmin ndaj vendbanimit të refugjatëve serbë në Junik afër Deçanit, në vendosjen e eksplozivit në fshatin Baballoq, në vendosjen e eksplozivit në traktorin e Ismet Malokut si dhe në sulmin në stacionin e policisë në fshatin Irzniq afër Deçanit.

Edhe i akuzuari i tretë, Arif Vokshi ngarkohet se ka marrë pjesë në sulmin në kafenenë “Çakorr” në Deçan dhe në vendosjen e eksplozivit në Baballoq, si dhe në sulmin kundër stacionit të policisë në fshatin Irzniq.

Për të akuzuarit tjerë aktakuza serbe pohon se kanë marrë pjesë në kryerjen ose përgatitjen e këtyre dhe sulmeve të tjera, kryesisht kundër pjesëtarëve të policisë dhe refugjatëve serbë.

Prokuroria serbe ka hequr dorë nga ndjekja penale kundër Kastriot Gutiqit, Hasim Shtërbanit, Ramiz Bajraktarit, Kadri Limajt, Muharrem Krasniqit, Latif Brajshorit dhe Have Lokajt, sepse nuk ka pasur prova se kanë kryer vepra. Ndërkaq Brajshori dhe Lokaj thuhet se do të akuzohen për vepër penale të armëmbajtjes pa leje.

Ky është procesi i tretë i montuar gjyqësor që do të organizohet këtë vit kundër shqiptarëve. Në dy procese të tilla, për 35 shqiptarë, gjykata e instaluar serbe në Prishtinë ka shqiptuar 371 vjet burg.

 

 

29 korrik 1998

 

Forcat serbe hynë në Malishevë më 50 tanke

 

– Fshatrat të tëra janë në flakë. – Dhjetëra mija banorë e kaluan natën në qiellin e hapur. – Janë djegur edhe shumë grunaja. – Janë granatuar edhe fshatrat Drenoc e Zatriq të komunës së Rahovecit

 

Si pasojë e gjendje tepër dramatike në fshatrat e komunës së Malishevës, dhjetëra mijëra qytetarë të shumë fshatrave të rrezikuara nga granatimet e forcave ushtarako-policore serbe, dy netët e fundit i kaluan pothuaj nën qiellin e hapur, pa kushte dhe pa ushqime, njoftoi sot kryetari i KI të Degës së LDK-së në Malishevë I. Bytyçi.

Që nga dje e edhe sot fshatra të tëra të kësaj komune, duke filluar nga Kijeva e deri në afërsi të qytezës së Malishevës ende po digjen flakë. Ndërsa në flakë janë edhe grunajat ende të pakorrura.

Sot ka granatime dhe të shtëna me armë në drejtim të fshatit Shkozë të Malishevës, ndërsa vërehen herë herë edhe lëvizje lëvizje të tankeve të ushtrisë e policisë serbe.

Derisa në fshatrat përreth Kijevës nga shtëpitë del tym e flakë, në Malishevë forcat serbe, që hynë në këtë qytezë me mbi 50 tanke, kanë djegur shtëpinë e Ramadan Krasniqit dhe kanë dëmtuar pompën e benzinës, pronë e tij. Janë dëmtuar e janë plaçkitur edhe shumë objekte të tjera.

Të shtëna dhe granatime gjatë natës ka pasur jo vetëm në fshatrat e Malishevës, por edhe në fshatrat Drenoc e Zatriq të komunës së Rahovecit.

Exit mobile version