UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 28 shtator 1993-1998

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

28 shtator 1993

 

Iu vu dryni konviktit në nxënësve në Prishtinë

 

Gazeta “Bujku” njofton sot se konviktit të nxënësve në Prishtinë, iu vu dryni.

Sallah Ademi, drejtor i konviktit “Miladin Popoviq”, deklaroi se autoritetet e instaluara serbe në komunën e Prishtinës, po bëjnë përgatitje për meremetimin e konviktit dhe vendosjen e nxënësve serbë në të. Më 30 gusht 1991, konvikti ishte planifikuar për refugjatët serbë, por pasi për ata gjetën zgjidhje më të mira, ai vendim nuk u zbatua. Z. Ademi tha se 300 nxënës shqiptarë kanë paraqitur kërkesë për t’u vendosur në këtë konvikt. Mirëpo, në fillim të tetorit, ai do të jetë i gatshëm vetëm për serbët.

Një konvikt tjetër për shkollat e mesme, përballë Fakultetit Juridik, disa vite më parë është shndërruar në stacion të policisë.

 

 

28 shtator 1994

 

Policia serbe pengon mësimin shqip në Ferizaj

 

Policia e Ferizajt ka sforcuar trysnitë mbi shkollën shqipe. Në dy rastet policët morën rolin e inspektorëve të arsimit dhe u futën edhe në orët e mësimit. Më 21 shtator, derisa po mbante në oborrin e shkollës “Gjon Serreçi” orën e edukatës fizike, policët arrestuan Fahri Jasharin, të cilin pastaj në stacionin policor e kërcënuan me thikë rreth një orë, duke i thënë që herave të tjera për çdo dalje në oborr duhet të kërkojë leje nga policia.

Edhe të premten, më 23 shtator, rreth orës 14, tre policë hynë në një mësonjëtore të një punkti privat të shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica”, në rrugën “Pleshina” dhe legjitimuan arsimtarët Xhevat Aliu dhe Rexhep Shabani, dhe provokuan nxënësit e një klase të maturantëve njëzet minuta. Arsimtarët Xhevat Aliu e Rexhep Shabani, të premten u morën në pyetje edhe në stacionin policor të Ferizajt.

Të enjten pas bastisjes së shtëpisë, ku konfiskuan 2 libreza partiake të LDK-së dhe dëftesa të Këshillit për Financim, ndonëse kërkonin deviza e armë, 12 orë u mbajt në polici arsimtari i gjuhës shqipe Rizah Nebihu. Në polici ai u mbajt me kllapa dhe u keqtrajtua fizikisht, bëjnë të ditur burimet informative të LDK-së e të KMDLNJ-së, njofton gazeta e sotme “Bujku”.

 

 

28 shtator 1995

 

 

Në Panairin Ndërkombëtar të 47-të të Librit në Frankfurt prezentohet edhe libri shqip

 

Në Panairin Ndërkombëtar të Librit, i cili do të mbahet në Frankfurt prej 11-16 tetor, do të prezentohet edhe libri shqip që botohet në Kosovë, njofton “Bujku”.

Redaksia e botimeve të Rilindjes do të prezantojë veprat e Faik Konicës, Sabri Hamitit, Jusuf Buxhovit, etj, ndërkaq Shtëpia botuese “Buzuku”, do të prezentojë veprat e Robert Elsit, Bashkim Shehut, Kasëm Trebeshinës, Martin Camajt, Zef Skiroit, Elena Kadaresë dhe të autorëve të tjerë.

Në këtë panair do të prezentohet edhe shtëpia botuese “Dukagjini” i Pejës me librat e Fehmi Aganit, All Gorit, Gani Bobit, Rexhep Ismajlit, Ali Podrimjes, Hivzi Islamit etj.

Ky është rast i mirë që botuesit tanë t’i prezentojnë veprat e tyre në këtë panair, i cili konsiderohet ndër më të mëdhenjët në botë.

 

 

28 shtator 1997

 

 

Ndërhyrje e sërishme e policisë serbe në shëtitoren e Mitrovicës

 

Prej orës 20 e deri në orën 21 forca të mëdha të policisë serbe legjitimuan, rrahën e arrestuan shumë drejtorë të shkollave, mësimdhënësi, studentë, nxënës e qytetarë që gjendeshin në shëtitore apo jashtë saj.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton se pasi u legjitimua, u rrah në praninë e mijëra qytetarëve Latif Hajrizi (40), drejtor i shkollës fillore “Nonda Bulka” në Mitrovicë. Ai i dërgua në polici ku u mbajt rreth një orë dhe u pyet lidhur me shkaqet e daljes së tij në shëtitore. Sipas deklaratës së tij në stacionin e policisë ishin dërguar shumë qytetarë të Mitrovicës.

Kjo është mbrëmja e tretë prej kur policia serbe ndërhynë brutalisht kundër qytetarëve në shëtitjet plotësuese në këtë qytet.

Më 25 shtator u morën në polici së paku 100 qytetarë, ndërsa një mbrëmje më vonë u keqtrajtuan edhe dhjetarë qytetarë, mësimdhënës, drejtorë shkollash dhe studentë e nxënës.

Që nga data 24 shtator, administrata okupuese serbe në Mitrovicë ka ndërprerë plotësisht ndriçimin në shëtitore.

 

 

28 shtator 1998

 

Në Abri të Epërme të Gllogocit u gjetën së paku 15 të vrarë e të masakruar

 

Pas tërheqjes së policisë në Obria e Epërme, ekipet e nënkëshillit të KMDLNj-së në Gllogoc dolën në terren dhe gjetën shumë të vrarë, të masakruar e të plagosur.

Sipas njoftimeve të këtij nënkëshilli, në lagjen Deliu në Obri Epërme janë gjetur të masakruar 8 veta: Adem Sali Deliu (33), Hava Imer Deliu (65), Jeton Imer Deliu (10), Hamide Sali Deliu (60), Valmir Adem Deliu (1 vjet e gjysmë), Luljeta Imer Deliu (25), shtatzënë, Lumnije Imer Deliu (30) dhe Mihane Imer Deliu (25), të gjithë të familjes së Ymer Deliut. Ata janë gjetur rreth një kilometër larg shtëpisë së tyre.

Po në këtë lagje, në shtëpinë e Hajriz Deliut janë gjetur të vrarë: Donjeta Hajriz Deliu (4), Gentiana Hajriz Deliu (7), Zahide Hajriz Deliu (27). Fazli Deliu (90) është gjetur i djegur në shtëpinë e tij.

Të vrarë e të masakruar janë edhe Ali Deli Deliu (63), i prerë në fyt me thikë, Pajazit Rrustem Deliu (65) dhe Zeqir Jonuz Deliu (44).

I njëjti burim bën të ditur se një foshnje njëmuajshe e gjysmë u gjet e gjallë në gjirin e nënës së saj, Diturie Imer Deliut, e mbuluar me gjakun e saj.

Deri tash nuk dihet për fatin e Hysen Deliut (53), Maliqe Deliut (80) e Hajriz Deliut (35)

 

 

Në Gollubofc e Pllaçicë mbrëmë u varrosën 17 shqiptarë të vrarë

 

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderajt ka njoftuar se mbrëmë në fshatin Gollubofc janë varrosur 10 shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës së fundit të forcave serbe.

I njëjti burim bën me dije se shtatë të tjerë të vrarë u varrosën në Pllaçicë, ndërsa trupat e tre të vrarëve qëndrojnë ende të pavarrosur te çeshmja e Vuçakut, si dhe dy të tjerë në malet e Vuçakut.

Njoftohet se policia ka plaçkitur në Vuçak të gjithë arin nga gratë dhe të hollat që kanë gjetur tek të zhvendosurit.

 

 

Exit mobile version